​Berisha-Muratit: I keni dhënë 21 milionë euro për rrymën në veri por thuaj ‘nuk guxoj me folë’

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati ka thënë se Qeveria Kurti nuk e ka ndarë asnjë cent për pagesën e rrymës në veri, mandatin e vitit të kaluar dhe as me marrjen e mandatit sivjet.

Sipas Muratit, janë bërë dy pagesa nga Qeveria e Kosovës në drejtim të KOST-it, njëra kur Ramush Haradinaj ishte kryeministër dhe tjetra vitin e kaluar kur në krye të ekzekutivit ishte Avdullah Hoti.

Murati: Qeveria Kurti asnjë cent nuk e ka ndarë për rrymë në veri

“Edhe Qeveria Kurti 1 edhe Qeveria Kurti 2 asnjë vendim asnjë cent nuk e ka ndarë për këtë çështje dhe ky është fakti, nëse keni fakte të tjera ju lutem na i prezantoni. Sa i përket pagesave që janë bërë në drejtim të KOST-it në të kaluarën janë bërë dy pagesa, njëra është bërë në vitin 2018 nga qeveria e koalicionit PDK-AAK-NISMA asokohe drejtuar nga kryeministri Ramush HAradinaj dhe nëse nuk gaboj ka qenë e ndarë 1 milionë euro në drejtim të KOST-it për të mbuluar këtë shpenzim”, tha Murati.

Pagesa e dytë, siç tha Murati është bërë në vitin 2020 në kohën kur në qeveri ishte koalicioni AAK-LDK-NISMA.

Murati: Pagesat e qeverisë në drejtim të KOST-it janë bërë në qeverinë Haradinaj dhe Hoti

“Më 29 tetor ministri Blerim Kuqi nënshkruan marrëveshje me KOST-in për transferimin e shumës prej 10 milion euro të vitit 2020, si dhe transferi i 10 milionë eurove në drejtim të KOST-it ka ndodhur më datë 26 nëntor. Pra këto janë dy trasnferet sa i përket kësaj çështjes që janë bërë nga qeveritë në drejtim të KOST-it, por siç e thash kjo nuk ka të bëjë fare me qeverinë Kurti, pagesat janë bërë njëherë në qeverinë Haradinaj, njëherë në Qeverinë Hoti kur keni qenë edhe ju anëtarë të koalicionit”, tha ai.

Këto deklarata të ministrit Murati erdhën pas pyetjes së deputetit të AAK-së, Bekë Berisha, se a i ka ndarë Qeveria Kurti para për pagesë ne rrymës në veri të Kosovës.

Berisha-Muratit: Thuaj e kemi dhënë paratë për rrymën në veri por nuk guxoj me folë

“Ministër, nuk po të them asgjë hiç, ti duhet kështu me folë, mirëpo 21 milionë i keni dhënë, a po kupton, mundesh me dalë me hargju fjalë edhe njëherë por unë për shembull me pa kon në vend tënd kisha thënë ‘o po i kemi dhënë por nuk guxoj me folë”, tha Berisha./KP