​EDHE MBI 150 VENDVOTIME DO TË RINUMËROHEN PLOTËSISHT

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar rekomandimin e PZAP-së për rinumërimin edhe të disa kutive që u takojnë Zgjedhjeve për Kuvende Komunale që janë mbajtur më 17 tetor të këtij viti.

 

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka miratuar ankesat e një numri të caktuar të kandidatëve për Kuvende Komunale në qytete të ndryshme në Kosovë.

“KQZ me datën 9 dhe 10 nëntor ka pranuar disa vendime të tjera nga PZAP.  Në bazë të këtyre vendimeve kërkohet nga KQZ që të bëhet rinumërimi i votave të kandidatëve në një numër të caktuar të vendvotimeve. Numri i vendvotimeve të rregullta që do të rinumërohen është rreth 155 vendvotime të rregullta që u takojnë komunave të ndryshme, PZAP ka vendosur edhe për rinumërimin e 10 kutive të votave me postë. Rekomandohet që të bëhet rinumërim i plotë i këtyre”, tha Burim Ahmetaj, kryeshef Ekzekutiv i Sekretariatit të KQZ-së.

Më tej, Ahmetaj foli edhe për numrin e përgjithshëm të vendvotimeve që do të rinumërohen sipas vendimit të PZAP-së.

“Më datën 8 janë 437 vendvotime të rregullta përfshirë edhe votat me kusht edhe postë që 467 kuti të votimit që duhet të rinumërohen sipas vendimeve të ardhura me datë 8. Me datën 9 kanë ardhur 138 vendime për rinumërim të vendvotimeve të rregullta të komunave të ndryshme dhe 11 kuti të votimit të votave me postë. Më datën 10 nëntor janë gjithsejtë 14 vendvotime që në total bëjnë 589 vendvotime të rregullta, duke përfshirë edhe 23 kuti të votave me postë dhe 18 kuti të votave ne kusht, gjithsejt 630 kuti, duke përkthyer në përqindje 23,78% e kutive që duhet të rinumërohen sipas vendimit të PZAP-it”, ka thënë më tutje ai.