​Gastronomia do të lejohet të punojë deri në mesnatë, dasmat rikthehen nga 15 qershori

Kryetarët e Komunave kanë mbajtur një takim koordinues me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, për të diskutuar rreth procesit të vaksinimit dhe masave të reja.

Sipas Asosacionit të Komunave, në këtë takim u tha se së shpejti do të hiqet ora policore dhe do të lejohen ahengjet me fillim në sezonës së verës kur do të vijnë edhe mërgimtarët.

“Tek lirimi i masave, pas konsultimeve me kryetarët e komunave, brenda kësaj jave do të vlerësohet situata dhe pritet të hiqet ora policore dhe nga mesi i qershorit do të lehtësohen edhe masat lidhur me ahengjet. Pritet që lokalet të lejohen të punojnë deri në ora 12 e natës ndërsa organizimi i dasmave pritet të lejohet nga 15 qershori”, thuhet në njoftimin e Asosacionit.

Kjo thuhet se u mirëprit nga kryetarët e komunave të cilët vlerësuan të drejtë kërkesën e Asociacionit të Komunave të Kosovës ditë më parë për heqjen e orës policore dhe lehtësimin e masave meqë këto do të kenë ndikim direkt në zhvillimin ekonomik lokal.

Në këtë takim, thuhet se Vitia falënderoi kryetarët e komunave për bashkëpunimin e deritashëm duke potencuar se puna e tyre është shumë me përgjegjësi meqë dera e parë e qytetarit është komuna dhe shpesh komunave ju bie barra që të marrin përsipër edhe shumë vendime që merren në nivelin qendror.

Ministri Vitia tha se aktualisht tema kryesore mbetet procesi i vaksinimit dhe pritet që të premten të vijnë edhe 100 mijë vaksina të reja ku do të nis procesi i vaksinimit në masë të qytetarëve.

Po ashtu u tha se janë lehtësuar edhe procedurat për aplikim për vaksinim në platformën e-kosova por edhe komunat kanë ndihmuar në regjistrimin e të moshuarve për procesin e vaksinimit.

Pas diskutimeve të kryetarëve të komunave, ata u informua se sipas analizës epidemiologjike të muajit te kaluar, rezultatet janë premtuese por respektimi i masave nuk ka alternativë përkundër uljes së rasteve. /KP