​Haziri tregon detaje nga takimi i Abdixhikut me Kurtin

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka treguar se çfarë kanë kërkuar nga kryeministri Kurti në takimin e sotëm.

Haziri ka thënë se i kanë bërë të qartë kryeministrit Kurti se para dhe pas çdo bisedimi me Serbinë, duhet të njoftohet Kuvendi i Kosovës.

“Çdo negociator dhe çdo përfaqësues i Kosovës që bisedon duhet para dhe pas bisedimeve ta njofton organin ma të lartë kushtetues, Kuvendin e Republikës. Se sa e shtrin informacionin, ne natyrisht nuk po themi që në teknika dhe cështjet që janë të ndjeshme që e dëmtojnë procesin ose palën tonë në negociata do duhej me dhënë detaje, por aq sa është e nevojshme Kuvendi duhet të njoftohet para dhe pas çdo bisedimi. Kjo është që ne sot e shtjerrim në takim”, tha ai në Rubikon.

Haziri po ashtu tha se në takimin e përbashkët me kryetarin Abdixhiku, kanë kërkuar sqarime nga kryeministri edhe sa i përket çështjes së reciprocitetit.

“Ministrja Gërvalla dje e zbardhi qëndrimin dhe tha që nuk ka nevojë për reciprocitetin sepse po dëmton si parim politik. Ne sot e përmendem se çka nënkupton tërheqja nga reciprociteti dhe pak a shumë ajo përgjigja e ‘gjysmë shtatzënisë’ që e morëm, sepse një pjesë e marrëveshjeve në implementim do të shikohet se sa janë implementuar në Kosovë dhe në Serbi. Dhe çështje tjera janë rishikuar. Por edhe më tutje nuk ka format. Agjenda është shumë e diskutueshme”, tha Haziri.

Megjithatë Haziri tha se Qeveria ende nuk ka një plan konkret për dialogun me Serbinë që pritet të ndodhë në qershor./KP