​Japonia mbështet perspektivën evropiane të Kosovës

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka pritur sot në takim ambasadorin e Japonisë në Vjenë, Akira Mizutani, ambasador jorezident i Japonisë për Republikën e Kosovës.

Siç bëhet e ditur në komunikatën ministrore, ambasadori Mizutani ka uruar ministren për marrjen e detyrës dhe është njoftuar gjatë këtij takimi me prioritetet e politikës së jashtme të Kosovës si dhe zhvillimet aktuale politike në vend.

Ministrja Gërvalla ka shprehur falënderim për mbështetjen që Japonia i ka ofruar Kosovës në vazhdimësi për të fuqizuar sektorë të ndryshëm. Njëkohësisht ka vlerësuar se bashkëpunimi dhe marrëdhëniet bilaterale mes të dy vendeve duhet thelluar, e posaçërisht në rrafshin ekonomik.

Temë diskutimi në këtë takim ishte edhe menaxhimi i situatës me pandeminë si dhe normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Ndërkaq ambasadori Mizutani ka rikonfirmuar mbështetjen e shtetit të tij karshi Kosovës, e veçanërisht për perspektivën evropiane të vendit./KP