​Kërkohet paraburgim ndaj një personi për mashtrim

Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti i Përgjithshëm, ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj personit me inicialet Xh.P., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale “Mashtrimi”, nga neni 323 të KPRK-së dhe “Prezantimi i rremë si person zyrtar”, nga neni 409 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas njoftimit tw lwshuar nga Gjykata, lidhur me këtë rast, Prokurori i Shtetit ka ndërmarrë veprime në mënyrë urgjente, duke autorizuar policinë për zbatimin e tyre, me aprovim të gjykatës kompetente, ashtu që ka lëshuar urdhëresë të përkohshme për zbatimin e masave të fshehta teknike të hetimit dhe vëzhgimit, përfshirë fotografimin e fshehtë dhe vëzhgimin me video në vendet publike dhe private, monitorimin e fshehtë të bisedave në vende publike dhe private, simulimin e veprës penale, i cili është kryer me dhënien e mjeteve monetare të dyshuarit në vlerë prej 11,000 € (njëmbëdhjetë mijë euro), si dhe përgjimin e telekomunikimeve, me ç’ rast ka rezultuar deri te arrestimi në flagrancë i të dyshuarit.

Personi me inicialet Xh.P., dyshohet se në vazhdimësi i ka mashtruar palët duke u prezantuar si pjesëtar i Policisë së Kosovës (hetues në krime ekonomike), me qëllim të përfitimit material.

Ai ju ka thëne palëve ankuese se është duke hetuar disa lëndë të keqpërdorimit të detyrës zyrtare dhe se është në gjendje t’i rregullojë këto raste nëse pala ankuese pranon të jap ryshfet në vlerë prej 30,000 € (tridhjetë mijë euro).

I dyshuari, me aktvendim të prokurorit ndodhet në masën e ndalimit prej 48 orësh./KP