​Konjufca takohet me Cascone dhe Orlando, diskutojnë raportet Kosovë-Itali

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, priti sot në takim drejtorin e Njësisë së Adriatikut dhe Ballkanit në Ministrinë për Punë të Jashtme dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar të Italisë, Andrea Cascone dhe ambasadorin italian në Prishtinë, Nicola Orlando.

Konjufca shprehu falënderime për kontributin e çmuar që shteti i Italisë ka dhënë për Republikën e Kosovës në të gjitha proceset e saj shtet-formuese, veçmas proceset e integrimit evropian të Kosovës, si dhe për ndihmën në luftën kundër pandemisë COVID-19.

Nga ana e tij, Cascone i vlerësoi si shumë të dobishme marrëdhëniet bilaterale dhe bashkëpunimin në baza të vazhdueshme në mes të dy vendeve.

Ai po ashtu konfirmoi gatishmërinë e Italisë për t’i ndihmuar institucionet e vendit tonë në politikat rajonale, proceset integruese dhe adresimin e sfidave të përbashkëta, siç është edhe përballja me pandeminë.

Në takim u shtrua edhe nevoja e thellimit të mëtejmë të bashkëpunimit në proceset e përbashkëta evropiane./KP