​Kurti letër Sava Janjiqit: Sfidat tona të përbashkëta mund t’i adresojmë vetëm përmes komunikimit

Kryeministri Albin Kurti i është drejtuar me një letër Kryemurgut të Manastirit të Deçanit Sava Janjić.

Këtë lajm e ka bërë të ditur përmes një statusi në Facebook, ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, i cili ka thënë se Kurti ka përsëritur zotimin e Qeverisë së Kosovës për mbrojtjen e kishave ortodokse dhe ka shprehur dëshirën e tij për të vizituar Manastirin e Deçanit ditëve në vijim.

“Sfidat tona të përbashkëta mund t’i adresojmë vetëm përmes komunikimit që fuqizon klimën e mirëbesimit. Retorika që nxitë urrejtje dhe përçarje mes komuniteteve nuk është zgjidhje dhe duhet të kundërshtohet nga të gjithë”, thuhet ndër të tjerash në letrën e kryeministrit Kurti dërguar Kryemurgut të Manastirit të Deçanit Sava Janjić.

Ky është statusi i plotë i ministrit Çeku:

Qeveria e Kosovës është maksimalisht e përkushtuar për mbrojtjen e gjithë trashëgimisë sonë kulturore, dhe në veçanti të kishave ortodokse në shtetin tonë. Dialogu me klerikët ortodoksë në Kosovë është rruga e vetme për zgjidhje të qëndrueshme.

Së fundmi, Kryeministri i Republikës së Kosovës z. Albin Kurti i është drejtuar me një letër Kryemurgut të Manastirit të Deçanit z. Sava Janjić. Z. Kurti ka përsëritur zotimin e Qeverisë së Kosovës për mbrojtjen e kishave ortodokse dhe ka shprehur dëshirën e tij për të vizituar Manastirin e Deçanit ditëve në vijim. Ne ende jemi në pritje të përgjigjes për t’i diskutuar detajet praktike të kësaj vizite.

Sfidat tona të përbashkëta mund t’i adresojmë vetëm përmes komunikimit që fuqizon klimën e mirëbesimit. Retorika që nxitë urrejtje dhe përçarje mes komuniteteve nuk është zgjidhje dhe duhet të kundërshtohet nga të gjithë./KP