​Një muaj paraburgim për trafikim me njerëz

Gjykata Themelore në Ferizaj ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt për caktimin e masës një muaj paraburgim ndaj të pandehurës M.R., shtetase kosovare, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale trafikim me njerëz.

E pandehura dyshohet se më 6 janar 2021, në Jezercë, përkatësisht në disa vila të këtij fshati, me dashje dhe qëllim të përfitimit pasuror për vete, ka marrë pjesë në trafikimin e njerëzve përmes rekrutimit, transportimit, strehimit të viktimës, së një të miture të cilën e ka shfrytëzuar me qëllim të prostitucionit.

Pasi ka arritur marrëveshje me personin N.M., pronar i një kafiterie, në të cilën ka punuar një kohë edhe e pandehura me të dëmtuarën, N.M. ka kryer marrëdhënie seksuale me të miturën me pagesë, duke i paguar të pandehurës 40 euro e po ashtu të njëjtën e ka mbajtur nën kontroll dhe duke e shfrytëzuar për qëllime seksuale, duke siguruar persona të ndryshëm që të kryejnë marrëdhënie seksuale me të, në këmbim të parave, e të cilat para më pas i merr për vete.

Palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtyn ekzekutimin e tij./KP