​Opozita i reagon Kurtit: Qytetarët janë në hall me paaftësinë e qeverisë

Dy partitë opozitare, PDK dhe AAK i kanë reaguar kryeministrit Albin Kurti lidhur me deklaratat e tij se opozita po tregohet e paaftë në kritikat ndaj qeverisë.

Sipas tyre, halli i qytetarëve nuk është te paaftësia e opozitës, por e qeverisë derisa gjatë seancës së sotme plenare sërish kërkuan qartësi nga shefi i ekzekutivit për çlirimin e Ballkanit Perëndimor nga kriminelët e luftës.

Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri tha se Qeverisë Kurti po i ndodhin skandale të njëpasnjëshme, e njërën ndër to ngriti kapjen e mbi 400 kilogramëve me kokainë në Lipjan.

Abelard Tahiri: Halli i qytetarëve s’është paaftësia e opozitës, halli i tyre është paaftësia e qeverisë

“Halli i qytetarëve nuk është paaftësia e opozitës, halli i tyre është paaftësia e qeverisë, sepse ju do të qeverisni në katër vjetët e ardhshëm. Ne jemi këtu t’ju kritikojmë për t’iu dhënë këshilla dhe përkrahë projekte që sjellin zhvillim në këtë vend. Por si duket ato nuk do të ekzistojnë fare gjatë këtij mandati. Sa i përket deklarimeve tuaj, vërtet është marre. Ju qysh në start keni treguar një kompleks të inferioritetit ndaj Vuçiq. Ai ka qenë pjesë e një regjimi që ka kryer krime në Kosovë, kriminelët mund të fshihen në veri, por s’janë të Kosovës. Mund të fshihen edhe në Bosnje, por janë kriminelë të regjimit të Millosheviqit. Çështje tjetër kryeministër, te drejtori i Doganave, meqenëse e përmende si storie suksesi. Si është e mundur që shpedicionin e kamionit të nxënë me 400 kg kokainë ta bëjë vëllai i drejtorit të doganave? Qysh ndodhi, kjo është rastësi. Në rrethana normale ky drejtor është dashur të suspendohet menjëherë”, tha ai.

Kritik ndaj deklaratës së kryeministrit Kurti u shpreh edhe shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri.

Besnik Tahiri: Thuaje, te regjimi i Millosheviqit është adresa e kriminelëve të luftës

“Me reciprocitet ju keni dalë, keni kërkuar vota, keni thënë që do ta bëni që në fillim të qeverisjes. E dini që ai kurrë nuk ka qenë përgjigje ndaj Serbisë. Nuk mundet me qenë marrëdhënie reciproke, kur Serbia eksporton në Kosovë 600 milionë ndërsa ne 60 milionë. Ky ka qenë një mashtrim, manipulim. Te dialogu, po flisni për zhvillim dhe jo për pajtim. Nuk jeni duke biseduar në Bruksel, dhe nuk keni mandat prej këtij Kuvendi të flisni për pajtimin e qytetarëve të Kosovës, serbë dhe shqiptarë. Ju atje jeni duke bisedar për raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ky është mandati juaj. Mos u mundo të sjellësh paqartësi për të manipuluar opinionin publik… Deklaratën për kriminelëve të luftës duhet me dhanë saktësi, iki paqartësisë, ngjitja emrin. Nuk kemi qenë në Kralevë dhe as Leskovc, regjimi i Millosheviqit ka ardhur në Kosovë. Aty është adresa e kriminelëve të luftës. Thuaje, mos u bëj inferior!”, u shpreh Tahiri./E.Zeqiri/KP