​Osmani takohet me përfaqësuesit e fondacionit Heinrich Boell Stiftung

Presidentja Vjosa Osmani ka pritur sot në takim përfaqësuesit e fondacionit gjerman të të gjelbërve Heinrich Boell Stiftung, me të cilët ka biseduar mbi rëndësinë e Agjendës së Gjelbër për Ballkanin Perëndimor dhe Kosovën në veçanti.

Osmani theksoi se zhvillimi i qëndrueshëm dhe mbrojtja e mjedisit janë dhe do të jenë prioritet gjatë mandatit të saj.

Në mes tjerash, Osmani u shpreh se Kosova duhet të përqafojë një model të zhvillimit ekonomik që është i bashkërenditur me agjendën e gjelbër, ngase faktet nga terreni dëshmojnë se një gjë e tillë jo veçse është e mundur, por edhe ekonomikisht më e arsyeshme.

Palët diskutuan edhe për rëndësinë e Deklaratës nga Samiti i Sofjes për Agjendën e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor, duke theksuar se në prag të takimit të radhës të liderëve në kuadër të Procesit të Berlinit, duhet të identifikohen mjetet dhe politikat për zbatimin e zotimeve në praktikë./KP