​SBASHK-U PARALAJMËRON GREVA

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK) ka paralajmëruar greva, duke thënë se ky nuk është as shantazh e as kërcënim, por paralajmërim me kohë.

 

Në një komunikatë për media të SBAShK-ut thuhet se ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci dhe Qeveria e Kosovës sikur nuk po duan t’i shohin e t’i pohojnë angazhimet e mësimdhënësve deh sa herë që përmendet fjala ‘grevë’ po përdorin fjalët ‘shantazhë’ dhe ‘kërcënim’.

“Kemi kërkuar me ngulm që Ministrja Nagavci të kërkoj nga Qeveria Kurti që të kryhet obligimi moral e njerëzor ndaj 400 punëtorëve të arsimit me sëmundje të rënda e të veprojë, së paku, siç bëri Qeveria Hoti, që siguroi mjete buxhetore dhe liroi nga procesi mësimor për një vit këta njerëz, që vuajnë nga sëmundjet nga më të rëndat, por në vitin 2021 kjo nuk u realizua. Ne insistuam e apeluam edhe për vaksinimin e punëtorëve të arsimit dhe apeli ynë u dëgjua nga të gjithë dhe tani kemi me shumë se 95 % të punëtorëve arsimor të vaksinuar…Ministrja Nagavci dhe Qeveria sikur nuk duan t’i shohin e t’i pohojmë gjithë këto angazhime tonat në shërbim të arsimit dhe kurdo herë që mediet pyesin për paralajmërimet tona legjitime se nëse Qeveria nuk i mbanë premtimet dhe fjalën e dhënë do të ketë veprime sindikale Ministrja Nagavci nervozohet dhe përmend fjalët shantazh dhe kërcenim”, thuhet në komunikatë.

SBAShK-u rithekson se janë të gatshëm e të përkushtuar, që pavarësisht vështirësive të mëdha të krijuara nga pandemia, të mbajnë procesin mësimor në institucione arsimore.

“Ne dëshmuam do të dëshmojmë se jemi në shërbim të arsimit, por edhe në shërbim të kërkesave të anëtarësisë”, thuhet po aty.