​Shaip Kamberi: Vetëm ShBA mund ta detyrojë Serbinë që ta njohë Kosovën

Dialogu midis Kosovës dhe Serbisë vazhdon të jetë temë diskutimi për shqiptarët në Luginën e Preshevës. Deputeti shqiptar në parlamentin e Serbisë Shaip Kamberi thotë se vetëm Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) e detyron presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç të njohë Kosovën.

Kamberi ka theksuar edhe se Serbia ende nuk është përballur me një presion të drejtpërdrejte ndërkombëtar për të bërë hapin përfundimtar në drejtim të Kosovës.

“Bashkim Evropian nuk mund të çojë një marrëveshje përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë për arsye se ka disa vite që po ndërmjetëson këto bisedime dhe nuk kemi ndonjë rezultat konkret. Kemi disa marrëveshje të nënshkruara të cilat deri tani nuk janë respektuar. Serbia akoma nuk është përballur me një presion të drejtpërdrejtë ndërkombëtar për të bërë hapin përfundimtar në drejtim të Kosovës. Mendoj që SHBA mund ta detyrojë Serbinë që të shkojë në këtë drejtim,”, kështu tha Kamberi në emisionin “Balkan Talks” në Euronews Albania.

Kamberi po i sheh si pjesë të fushatës deklaratat e presidentit serb se nuk do ta njohë Kosovën e përçka nënvizon se në këto deklarata fshihen qëllime tjera.

“Ai me këto deklarata po luan rolin e të fortit duke qenë në prag zgjedhjesh dhe po përgatitet për fushatë. Besoj se synimi i tyre nuk është më Kosova, por tregtia nëpërmjet Kosovës për territoret e Bosnjës,”- shprehet deputeti shqiptar në parlamentin e Serbisë.

Zyrtarët e Luginës së Preshevës nuk janë ftuar akoma nga kryeministri Kurti për të shprehur qëndrimin e tyre për dialogun deklaron Kamberi.

“Zyrtarët e Luginës së Preshevës zyrtarisht nuk janë ftuar nga qeveria e Kosovës, që të shprehim qëndrimin tone, por besoj që do jetë së shpejti. Lugina e Preshevës duhet të jetë pjesë e bisedimeve sepse diskriminimi po zbras Luginën nga shqiptarët”, thotë Kamberi.

Kërkesën e Serbisë për krijimin e Asociacionit të Komunave serbe në veri të Kosovës, deputeti Kamberi e sheh si synim të Serbisë për të krijuar diçka autonome brenda Kosovës.

“Kërkesa e Serbisë për krijimin e Asociacionit të Komunave Serbe në veri të Kosovës është prej fillimit të bisedimeve një kërkesë që kërkon të ndërtoj një situatë të ngjashme me atë, që kanë serbët në Bosnjë-Hercegovinë. Ata duan diçka autonome brenda Kosovës, e cila do ketë kompetenca të paralizojë vetë shtetin e Kosovës”, është shprehur Kamberi.

Mos reagimin e administratës së presidentit amerikan Joe Biden për dialogun Serbi- Kosovë, Kamberi e sheh si të vonuar.

“Më duket i vonuar reagimi i administratës Biden, ndërsa angazhimi i presidentit Trump ishte cilësuar i nxituar. Ne kemi pritur që të kishin një reagim më të shpejtë. Tani duhet të presim një përgatitje më të mirë për të sjellë marrëveshjen përfundimtare” përfundon fjalën ai./KP