​VIZITA E PRESIDENTIT KROAT, NJOFTOHET SE DO TË KETË BLLOKIM TË RRUGËVE

Sot do të ketë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit në rrugët e Prishtinës. Kjo për shkak të vizitës së presidentit të Kroacisë, Zoran Milanovic.

 

Policia ka njoftuar se gjatë vizitës së presidentit kroat, me 23 dhe 24 do të angazhohen për ofrimin e sigurisë dhe përcjelljen e eskortës sipas agjendës së paraparë.

“Policia e Kosovës lidhur me vizitën e presidentit të Republikës së Kroacisë z. Zoran Milanović, njofton se: gjatë vizitës së tij, me 23 dhe 24 dhjetor 2021, policia do të angazhohet për ofrimin e sigurisë dhe përcjelljen e eskortës sipas agjendës së paraparë. Njoftojmë qytetarët së gjatë lëvizjes së eskortës së presidentit kroat, mund të ketë ndërprerje të përkohshme, në intervale të shkurtra kohore të qarkullimit të trafikut. Andaj kërkojmë mirëkuptimin e qytetarëve për këto masa që do të ndërmerren nga policia”, ka njoftuar policia.

Ndërkohë që presidenti i Kroacisë Zoran Milanoviq do të qëndrojë sot për një vizitë zyrtare në Kosovë.

Ai me këtë rast do të takohet me presidenten Vjosa Osmani dhe kryetarin e Kuvendit të Kosovës Glauk Konjufca.

Ceremonia e pritjes shtetërore nga presidentja Osmani do të fillojë nga ora 10:00 në sheshin “Ibrahim Rugova”, në Prishtinë.

Pas ceremonisë së pritjes, Osmani do të zhvillojë një takim me homologun e saj kroat dhe pas takimit do të mbahet një konferencë për media.