​Zyra e Kryeministrit fton të interesuarit të aplikojnë në konkursin për OSHP

Zyra e Kryeministrit të Kosovës ka ftuar të gjithë të interesuarit me kualifikimet e nevojshme që të aplikojnë në konkursin e shpallur për përzgjedhjen e kryetarit dhe dy anëtarëve të Organit Shqyrtues të Prokurimit Publik (OSHP).

Në një njoftim për media thuhet se procesi i rekrutimit do të monitorohet nga përfaqësues të Projektit Britanik për Emërime në Pozita të Larta Drejtuese.

Kandidatët njoftohen që emrat, rezultatet dhe kualifikimi i kandidatëve me rangimin më të lartë në këtë proces, do të publikohen në ueb faqen e projektit dhe që me të aplikuar për këtë pozitë do të konsiderohet se është dhënë pëlqimi për publikim.

Do të konsiderohet gjithashtu se është dhënë pëlqimi për Projektin e Ambasadës Britanike për përkrahje të rekrutimeve të pavarura për t’u qasur në dokumente të dorëzuara në zarfin e aplikimit, me ç’rast informatat e tilla do të fshihen përgjithmonë pasi të ketë përfunduar vlerësimi, thuhet në njoftim.

Afati i konkursit është i hapur nga data 26 maj 2021 deri më 9 qershor 2021.

Detajet e tjera rreth konkursit: Dokumente – Zyra e Kryeministrit të Kosovës (kryeministri-ks.net)     /KP