18 RASTE TË DHUNËS NË SHKOLLAT E KOSOVËS

Drejtoria e Policimit në Bashkësi e Policisë së Kosovës në vazhdimësi punon në parandalimin e të gjitha dukurive negative në përgjithësi.

Aktualisht është duke u zbatuar projekti për parandalimin e bullizmit në shkolla si dhe përdorimit të substancave narkotike dhe përdorimit të armëve të ftohta.

Nocioni i delikuencës te të miturit është sjellje e të miturve  në kundërshtim më normat e shkruara dhe të pashkruara  shoqërore duke përfshi dukuritë socio patologjike te fëmijët. Kjo dukuri nuk është karakteristike vetëm për të miturit, sepse ajo manifestohet edhe te të rriturit. Kapitene Nilgyn Kosova, shefe e sektorit për parandalimin e delikuencës së të miturve nëpër shkolla, tha për Radio Kosovën se në bashkëpunim me Drejtoritë e Arsimit janë duke implementuar projektin për parandalim të bullizmit nëpër shkolla.

” Bullizmi në shumicën e rasteve është dhunë psikike. Identifikimi dhe pasojat që sjell bullizmi, mund të shpjegohen nga ana e psikologëve.

Kapitene Nilgyn Kosova, sqaron se projekti për parandalimin e bullizmit është shpërndarë nëpër të gjitha drejtoritë rajonale të arsimit dhe  është duke u zbatuar në mbarë vendin. Ajo thotë se më të prekurit nga dukuria e bullizmit janë nxënësit e klasave 6 dhe 7, ndërkaq ata të cilët janë më të prekur nga përdorimi i substancave narkotike janë nxënësit e shkollave të mesme.

“Këto bëhen me prezencën e policëve me rroba civile në shkolla dhe për rreth tyre. Ne disa raste edhe me veprime konkrete, me qëllim të parandalimit të dukurive të tilla.

Gentiana Kuci Tishukaj, psikologe klinike,  thotë se bullizmi është dukuri mjaft shqetësuese dhe se fëmijët që bullizojnë dhe qe bullizohen  shfaqin elemente dhune e cila mund të çojë edhe deri te rrahjet dhe përdorimi i drogave.

“Është dukuri psikologjike e shfaqur shumë kohëve të fundit nëpër shkolla . Bullizmi direkt ndikon në mirëqenien emocionale dhe psikike te fëmijët. Ndërkaq fëmijët si shenjë mbrojtjeje edhe mund të përdorin droga.

Ndryshe sipas të dhënave nga  Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, në sistemin e menaxhimit të informatave në kuadër të kësaj ministrie, gjatë vitit shkollor 2019/2020 janë raportuar 18 raste të dhunës në shkolla. Ndërsa një vit më herët janë raportuar 22 raste.