23 VJET NGA VRASJA E “SANDOKANIT”

Abedin Rexha ishte luftëtar i radhëve të para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, guximtar e sypatrembur deri në vdekje, për çka dhe bashkëluftëtarët e tij e quajtën “Sandokan”.

 

Ai u lindi më 8 korrik 1969 në Vajnik, komuna e Skenderajt. Shkollën fillore e kreu në Turiçec, të mesmen në Skenderaj, kurse studimet i vazhdoi në Fakultetin Xehetar-Metalurgjik në Mitrovicë. Gjatë kohës së shkollimit të mesëm, në Skenderaj ra në kontakt me veprimtarët e ilegales. Asokohe shoqërohej me Jakup Nurën dhe Nuhi Gecin, me të cilët tashmë ishte i organizuar dhe shpeshherë shpërndante edhe trakte e afishe, ku bëhej thirrje për rezistencë kundër pushtuesit serbo-sllavë.

Duke qenë se pushtuesi i kishte rënë në gjurmë aktivitetit të Abedinit, me 1992, ai merr rrugën e mërgimit. Në vjeshtë 1996, kthehet në Kosovë, i ngarkuar me detyra të caktuara dhe mban takim me komandantin Adem Jashari. Ai hynë e del nga Kosova shumë herë. Më 6 maj 1997, Abedini së bashku me Fehmi Lladrovcin, Xhevë Lladrovcin, Luan Haradinajn, Ilaz Kodrën, Ramiz Lladrovcin etj, i kalon Alpet Shqiptare. Në rrugë e sipër, ky grup luftëtarësh bie në pritë të forcave serbe dhe pas një luftimi të ashpër dhe rënies heroike të Luan Haradinajt, detyrohet të tërhiqet nga kufiri.

Dy muaj më vonë, në korrik 1997, Abedin Rexha së bashku me Adrian Krasniqin, Ilaz Kodrën, Ilir Konushevcin dhe luftëtarë të tjerë të lirisë, arrin të depërtojë në Kosovë dhe punojnë pa u lodhur në zgjerimin dhe konsolidimin e radhëve e UÇK-së.

Më 25 nëntor 1997, policia serbe shkoi në Vajnik për ta arrestuar Abedin Rexhën – Sandokanin. Abedini me dy vëllezërit, Brahimin dhe Afrimin, e me luftëtarë të tjerë u kishte dalë përballë bandave serbe dhe i kishte sulmuar. Në këtë sulm ishin likuiduar dy policë serbë, ndërsa gjatë kësaj përleshjeje, forcat serbe kishin plagosur Baki Krasniqin, 11-vjeç.