370 MATURANTË TESTOHEN NË “SAMI FRASHËRI”, DY PREJ TYRE LARGOHEN (VIDEO)

Në gjimnazin “Sami Frashëri” në Prishtinë sot i janë nënshtruar testit të Maturës Shtetërore 370 nxënës. Megjithatë, dy prej tyre janë kapur duke kopjuar, meqë nuk i janë përmbajtur rregullave të testimit. Mbajtja e testit ka filluar në orën 10:00, ndërsa afati i fundit për dorëzimin e testeve nga ana maturantëve ka qenë në orën 13:00.

Maturanatja Elta Bajrami, e cila ka vijuar shkollën e mesme në po këtë shkollë thotë për KosovaPress se testi nuk ka qenë i vështirë dhe se pret sukses pas publikimit të rezultateve.

Bajrami: Ka qenë test i lehtë, të gjitha pyetjet kanë pasur ndërlidhje logjike
(Video)

“Testi filloi në orën dhjetë dhe shkoi sipas gjitha procedurave qysh edhe është flit. Nuk është shkel ndonjë rregull, nuk na kanë lën as me kopjua. Ka qenë test i lehtë, të gjitha pyetjet kanë pasur ndërlidhje logjike dhe i kemi kuptuar në bazë të kontekstit të testit. Nuk ka qenë i vështirë… Për rezultate personalisht pres me dal mirë, nuk e di tash pyetjet kanë qenë logjike, kam punuar por tash ta shohim me 5 korrik kur të dalin rezultatet çka do të ndodhë”, tregon ajo.

Ndërsa, për Florent Berishën pritjet nuk janë edhe aq të mira, meqë thotë se nuk ishin të lehta pyetjet e testit.

Berisha: Testi ka qenë i vështirë
(Video)
“Testi ka qenë pak i rëndë, nuk e kisha prit kaq i rëndë. Por, kryesisht e përfunduam, e hiqem gajle. InshAllah 100 nuk po dua më shumë… për fakultet po këqyri nëse mundem me shkua në Inxhinieri, por edhe nëse nuk mundem këtu është privati… stresi ka qenë te ajo fleta e vogël që është me i shkrujt, aty kom mujt me bo ndonjë gabim që të bëjë”, thotë ai.

Maturanti Blerim Krasniqi pret rezultate të mira, meqë shpreson se ka arritur të përgjigjet mirë në pyetjet e përpiluara.

Krasniqi: Besoj që e kam plotësuar mirë testin
(Video)

“Testin vetëm sapo e përfunduam, mirë ka shkua. Kemi mësua kapak dhe me dijen tonë besoj që i kemi bërë ato pyetjet që kemi prit që i kemi mirë… Nuk ka pas asnjë problem, gjithçka ka shkuar sipas planit dhe shpresojmë që pas një javë apo dy kur të dalin rezultatet kemi me i pas rezultatet e mira”, shprehet ai.

Drejtori i gjimnazit “Sami Frashëri”, Fetah Zejnullahu pas përfundimit të testit të maturës ka thënë para mediave se sot vetëm në këtë shkollë janë testuar 370 nxënës.

Zejnullahu: Procedura e testit ka pasur nivel të standardit të dëshiruar

(Video) 03:45’…

“Në gjimnazin “Sami Frashëri”, sot iu kanë nënshtruar testit të provimit të maturës shtetërore 348 nxënës edhe 22 nxënës me mësim në gjuhën turke, gjithsejtë 370. Gjithashtu me kohë kanë arritur testet, administruesit. Edhe procedura e mbajtjes së testit besoj që ka pasur nivel të standardit të dëshiruar gjatë kësaj kohe”, shprehet Zejnullahu.

Më tej, ai ka bërë të ditur që ka pasur raste kur nxënësit kanë humbur të drejtën e testimit, meqë nuk iu janë përmbajtur rregullave.

Zejnullahu: Dy nxënës nuk iu kanë përmbajtur rregullave dhe janë larguar

(Video)

“Në bazë të informatave që kam dy nxënës nga këta nuk iu kanë përmbajtur rregullave të parapara me udhëzuesit edhe janë larguar nga testi…. Unë e pata një informatë nga Ministria e Arsimit se një nxënës gjoja në këtë shkollë me emër, sipas informatave që ka bërë publike. Nga 370 nxënës që janë në listë që i kontrollova që i nënshtrohen testit në gjimnazin ‘Sami Frashëri’, nxënës i tillë nuk është në listë. Është propagandë, një nxënës në emër të gjimazit ndoshta ka bërë diçka”, shton ai.

Ai thotë se testi është standard evropian dhe se Kosova duhet të mbaj këtë test.

Bajram Hashani, i cili ka qenë administrues në shkollën e mesme “Sami Frashëri”, ka bërë të ditur se në klasën ku ai e ka monitoruar procesin gjithçka ka shkuar mirë, megjithatë ka pasur tendenca për kopjim.

Hashani: Tendencat e kopjimit ekzistojnë gjithmonë

(Video)

“Tendencat e kopjimit ekzistojnë gjithmonë por me një monitorim më të mirë, me një përgjegjësi më të madhe ato zvogëlohen gradualisht”, tregon ai.

Mbi 23 mijë maturantë i janë nënshtruar sot provimit të Maturës Shtetërore, në 177 qendra të testimit. Sipas njoftimit të Ministrisë së Arsimit, rezultatet e provimit të maturës shtetërore pritet të shpallen më datën 5 korrik./KP