76 VJET NGA EMETIMI I KARTËMONEDHAVE DHE ÇEKMONEDHAVE SHQIPTARE

Sot mbushen 76 vjet nga koha kur Banka e Shtetit Shqiptar shpalli vulosjen e kartëmonedhave dhe të çekmonedhave të emetuara nga ish-Banka Kombëtare e Shqipërisë

Pas Luftës II Botërore dhe proklamimit të Qeverisë Demokratike, në Shqipëri, filluan të duken shenjat e para të inflacionit dhe keqësimi i gjendjes së kartëmonedhave, që vinte nga pamundësia për të shtypur kartëmonedhë të re dhe për ta zëvendësuar atë në qarkullim.

Në pritje të normalizimit të situatës, më 22 qershor 1945, Banka e Shtetit Shqiptar shpalli vulosjen e kartëmonedhave në qarkullim, si dhe të çekmonedhave të emetuara nga ish-Banka Kombëtare e Shqipërisë.

Vulosja e kartëmonedhave u bë në të gjithë vendin prej datës 27 qershor deri më 8 korrik 1945, duke filluar nga zonat kufitare. Ajo do të bëhej vetëm për prerjet 20 dhe 100 franga shqiptare, si dhe çekmonedhat me vleftë 20, 100, 500, 1000 dhe 5000 franga shqiptare. Vula kishte trajtën e një drejtkëndëshi, me përmasa 52×34 mm, që mbante përbrenda një shqiponjë dy-krenare me yll mbi të dhe fjalët “Banka e Shtetit Shqiptar”, e gjitha e vijëzuar me vija paralele horizontale, ku shqiponja dhe shkrimet janë me hije.

Banka e Shqipërisë bën të ditur se, vulosja e kartëmonedhave u bë pa asnjë kufizim shume. Kartëmonedhat dhe çekmonedhat që nuk u paraqitën për vulosje u konsideruan të pavlefshme dhe, për pasojë, dolën jashtë qarkullimit.

Sipas BSH-së, vulosja e kartëmonedhave dhe e çekmonedhave të ish-Bankës Kombëtare të Shqipërisë pati efekte të ndjeshme në qarkullimin monetar. Ajo la jashtë vulosjes rreth 20% të monedhës në qarkullim, pasi nuk u vulosën kartëmonedhat me prerje nën 20 franga shqiptare.

Në fund të vitit 1945, emisioni arriti në 286.100.000 franga shqiptare, nga 384.396.000 që ishte në fund të vitit 1944./KP