A ERDHI EKSPERTI GJERMAN? KEK THOTË SE DO TË NJOFTOJË ME KOHË

Ardhja e ekspertit gjerman në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK), është paralajmëruar të ndodh sot. Eksperti gjerman, sipas kryeministrit Albin Kurti do të sanojë problemin e bllokut B2.

Gazeta Express është interesuar të mësojë nëse ky ekspert ka arritur në ambientet e KEK, por këta të fundit thanë se për këtë çështje do të njoftojnë me kohë.

“Duke ju referuar pyetjes tuaj rreth njësise prodhuese B-2. Korporata Energjetike e Kosovës ju siguron se do ju njoftoj me kohë për të gjitha zhvillimet”, thuhet në përgjigjen e zyrës për informim të KEK dhënë Gazetës Express.

Para pak ditësh drejtori i KEK-ut, Nagip Krasniqi, ka thënë se eksperti gjerman pritet të vijë të dielën në Kosovë për ta rregulluar turbinën që ndodhet jashtë operimit.

“Kosova B2 vazhdon të jetë jashtë funksionit shkaku i prishjes nga data 14 dhjetor dhe jemi në proces që ta kthejmë sa më shpejt në operim mirëpo prishja në turbinë është e natyrës më serioze. Jemi në kontakt me kompaninë që e prodhon turbinën dhe presim që ta dërgojnë ekspertin e tyre dhe të dielën ai ekspert të jetë në KEK dhe do të fillojmë me inspektimin e situatës dhe ta shohim sa është gjendja e dëmtimeve dhe ajo do ta tregojë edhe kohën e për kthimin e njësisë në punë.Ekziston një vlerësim preliminar që ne presim që diku kah data 20 janar B2 të kthehet në operim”, ka thënë Krasniqi. /Express/