ABAZI: NUK DO TË BËJMË KOMPROMISE NË RASTIN E ASOCIACIONIT

Lëvizja Vetëvendosje, sipas deputetit Haki Abazi, mund të fitojë në të 12 komunat ku është në balotazh. Ai thotë se në raundin e dytë, kandidatët e Vetëvendosjes do të dalin në pah me ofertën e tyre, pasi edhe zvogëlohet zhurma dhe lidhja e rrjeteve të interesit. Abazi thekson se koalicioni i vetëm që do të bëjë Lëvizja Vetëvendosje do të jetë me qytetarët, pasi partitë politike ende nuk janë reformuar plotësisht.

 

Deputeti i mazhorancës në një intervistë për KosovaPress kritikon edhe opozitën për qëndrimin rreth ngritjes së çmimeve, derisa është i vendosur se Kosova s’do të bëjë asnjë kompromis në raport me dialogun me Serbinë.

“Në 12 vendet ku jemi në balotazh kemi jashtëzakonisht potencial të madh që të fitojmë. Tani edhe zvogëlohet zhurma ndërmjet asaj që ka qenë listë e kandidatëve dhe kandidatët e Vetëvendosjes mund të vijnë në pah me planet e tyre, drejtpërdrejtë në komunikim me qytetarët për ofertën në raundin e dytë. Përderisa në raundin e parë ka pasur një diveristet dhe zhurmë shumë më të madhe në kuptimin e fjalëve, rrjeteve të interesit dhe lidhjeve me bizneset, tani është e qartë. Gjithashtu është e lehtë të shihet se kush me kë po bënë marrëveshje, të heshtur apo drejtpërdrejtë. Lëvizja Vetëvendosje njihet të ketë koalicion të drejtpërdrejtë me qytetarin jashtë grupeve të interesit që kanë ekzistuar si rezultat i keqqeverisjes dhe orientimit të fondeve të nivelit komunal të ndërlidhura me nivelin qendror të kaluarën”, thotë ai.

Abazi thotë se partitë e tjera janë fajtore që ende sot flitet për kanalizim dhe ujësjellës, e jo për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik. Mbi këtë arsye, ai deklaron se në raundin e dytë, Lëvizja Vetëvendosje duhet të ketë prioritet vetëm koalicionin me qytetarët.

“Çdo cikël të zgjedhjeve e shoh si një evolucion drejtë të mbarës dhe drejtë politikës si art i zgjidhjes së problemeve, jo si art i keqmenaxhimit dhe manipulimit të votës. Sigurisht sikur të ishim në një situatë kur partitë e tjera janë reformuar plotësisht dhe e kanë mendjen tek qytetari dhe jo tek manipulimi i buxhetit, sigurisht se koalicionet do të ishin të natyrshme. Por meqenëse kemi të bëjmë ende me struktura që janë realisht që janë fajtore që edhe sot flitet për kanalizim dhe ujësjellës dhe nuk flitet për pianon e violinën në shkolla dhe nuk flitet për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik lokal, por sigurimin e transportit për nxënës që do të duhej të ishin shërbime me çdo kusht. Prandaj do të duhej prioritet të ishte koalicioni me qytetarë për raundin e dytë”, shton Abazi.

Ish-zëvendëskryeministri thotë se opozita s’po mundet të ndërtojë kauza për çështje përmbajtjesore dhe reale të politikës së Kosovës.

“Edhe sot opozita nuk po mundet të ndërtojë kauza për çështje përmbajtjesore dhe reale të politikës së Kosovës. Kriza globale me të cilën po ballafaqohemi edhe ne, sidomos edhe ngritjen e çmimeve. E cila në fund të fundit mund të jetë edhe spekulative në nivelin global për shkak se rrjetet e fuqishme mund të përdorin përudhën e post-pandemisë për të përfituar humbjen në pandeminë. Ajo çka është reale është se çmimet po rriten në të gjithë botën për shkak të një normaliteti të ri që është duke ndodhur ekonomia globale… 15:04 Kritika e opozitës duhet të orientohet këtu, a jemi duke i bërë masat, politikat e domosdoshme që Kosova të adaptohet efektet e krizës globale. Duhet të kemi konsensus nacional për drejtimin që duhet të zgjedhim, sidomos në sistemin energjetik, por jo vetëm”, deklaroi Abazi.

Lidhur me dialogun, Abazi i cili është edhe kryetar i Komisionit parlamentar për Punë të Jashtme, thotë se Qeveria ka bërë përparim të jashtëzakonshëm duke e ndarë procesin e integrimit evropian dhe njohjeve të reja nga dialogu.

Ai deklaron se tani momenti kur Serbia duhet të përgjigjet se a do ketë njohje të dyanshme, pasi sipas tij, dhjetë vitet e kaluara e kanë sjellë dialogun në një pikë që është më jo produktiv sesa shtytje përpara.

“Dhjetëvjetëshi i kaluar e ka sjellë dialogun në një pikë që është bërë më shumë jo produktiv sesa ka treguar shtyje për procesin e dialogut. Kjo do të thotë se janë dy momente që duhet të jenë parasysh. Fakti që Serbia e ka përdorë dhjetë vjet për të prolonguar procesin e normalizimit të marrëdhënieve, i ka shtuar përshtati vetëm Serbisë. Janë ndaluar njohjet dhe është ndaluar procesi i integrimit të Kosovës në procesin evropian. Pasi gjithçka që është bërë, shtetet që nuk na kanë njohur kanë thënë se po presim për rezultatin final të dialogut, mandej e bëjmë njohjen. Pastaj MSA-ja varet në çdo hap kundrejt normalizimit Kosovë-Serbi. Kjo i ka dhënë një fuqi të madhe Serbisë ndaj dy proceseve të rëndësishme në Kosovë. Njohjet dhe integrimi evropian, pse Serbia do të bënte një hap pozitiv në arritjen e marrëveshjes kur ne jemi peng nga marrëveshjet e kaluara, jemi peng të asaj çka deklaron Serbia në raport me dialogun. Kjo është një prej detyrave kryesore që duhet bëhet, duke e ndarë procesin e integrimit dhe njohjeve nga rezultati final i dialogut. Unë mendoj se këtu është bërë përparim i jashtëzakonshëm, duke e bërë dialogun në një ‘reset’, ku çështja e të zhdukurve me forcë nga Serbia të jetë çështje prioritet, ku Serbia më nuk mund të shantazhojë Kosovën dhe të mbajë në gjendjen që ka mbajtur qe 20 vite”, thotë ai.

Megjithëse së fundmi janë shtuar presionet për themelimin e Asociacionit të komunave serbe, Abazi thotë se pavarësisht tyre, Kosova nuk mund të shkojë drejtë defunksionalizimit të vendit.

“Si organizatë jo qeveritare, Asociacioni i komunave serbe mund të organizohet kurdo, por jo kundër vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila ka gjetur marrëveshjen si jo kushtetues në 22 pika. Nuk ka pushtet të tretë në Kosovë. S ’ka asociacion me të drejta ekzekutive një etnike edhe institucionet çfarë janë, niveli komunal dhe qendror janë të mjaftueshme për të realizuar të drejtat e të gjithë qytetarëve brenda standardeve evropiane… Nuk do të bëjmë kompromise në rastin e Asociacionit e cila do të cungojë funksionalitetin e shtetit dhe të krijojë një ‘Republika Srpska’ brenda Kosovës”, përfundoi Abazi intervistën me KosovaPress.