AEROPORTI I GJAKOVËS ENDE JASHTË FUNKSIONIT (VIDEO)

Po bëhen 7 vjet prej kur Qeveria e Kosovës kishte krijuar ndërmarrjen publike “Aeroporti i Gjakovës”, aeroport ky që ka mbetur jashtë funksionit edhe sot.

Aeroportin e Gjakovës e ndërtoi KFOR-i italian për qëllime ushtarake dhe i cili deri në vitin 2013 është përdorur në mbështetje të aktiviteteve ushtarake për aeroplanët e operacioneve të misionit të NATO-s.

Ndërsa transformimi te autoritetet e Kosovës ishte bërë në vitin 2013, pas një marrëveshjeje të nënshkruar ndërmjet Qeverisë së Italisë dhe Qeverisë së Kosovës. Ndërkohë që sot përdoret për nevoja të Ministrisë së Mbrojtjes.

Kryetari i komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, thotë për KosovaPress, se problemet me funksionalizimin e Aeroportit të Gjakovës datojnë nga viti 2011, me vendimin për koncensionimin e Aeroportit “Adem Jashari”.

Ai thotë se kontrata për koncensionimin e Aeroportit “Adem Jashari”, e ka pamundësuar hapjen në këtë fazë të Aeroportit të Gjakovës.

Gjini: Kontrata për koncensionimin e Aeroportit “Adem Jashari” pamundësoi hapjen e Aeroportit të Gjakovës

Video

“Problemi me funksionalizimin e Aeroportit të Gjakovës daton në vitin 2011, para 10 viteve, kur qeveria e atëhershme e ka koncensionuar Aeroportin ‘Adem Jashari’, me kushtet të cilat e kanë pamundësuar hapjen e aeroportit të dytë komercial në Kosovë. Do të thotë atëherë është problemi dhe ata që e kanë bërë këtë duhet me dhënë përgjigje. Zgjidhja që FSK-ja me mbikëqyrë aeroportin është e mirë për mos me pas degradim për shkak se është një investim jashtëzakonisht i madh, pista është e njëjtë me Aeroportin e Prishtinës, i plotëson të gjitha kushtet për ngritje dhe aterim”, thotë ai.

Megjithatë nga partia në pushtet thonë se në plan të tyre kanë funksionalizimin e Aeroportin të Gjakovës.

Ushtruesja e detyrës së shefes së grupit parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila, thotë se tashmë e kanë një plan dinamik, i cili mund ta kthejë një pjesë të funksionit dhe ta bëjë aeroportin si pikë reference për qytetarët e asaj zone, jo vetëm për Kosovë por edhe për Shqipëri.

Kusari-Lila: Qeveria Kurti ka në plan funksionalizimin e Aeroportit të Gjakovës

Video

“Është evidente që qeveritë në të kaluarën nuk e kanë pasur këtë interes [funksionalizimin e Aeroportit të Gjakovës]. Në fakt qeveria ia ka dhënë komplet Ministrisë së Mbrojtjes, nuk ka ndonjë aktivitet përmbajtjesor atje. Fatkeqësisht, vetëm ka filluar degradimi i aseteve të cilat janë lënë nga KFOR-i italian, por unë mendoj që tash është momenti ideal dhe me faktin që qeveria Kurti edhe në planin e saj e ka funksionalizimin e Aeroportit të Gjakovës edhe për qëllime tjera, përveç atyre ushtarake. E kemi një plan dinamik, i cili mund ta kthejë një pjesë të funksionit dhe ta bëjë aeroportin si pikë reference për qytetarët e asaj zone, jo vetëm për Kosovë por edhe për Shqipëri”, thekson ajo.

Ajo deklaron se ky aeroport duhet të funksionalizohet për qëllime komerciale.

Kusari-Lila: Aeroporti i Gjakovës duhet të funksionalizohet për qëllime komerciale

Video

“Unë sot ende jam e besimit që ai aeroport duhet të funksionalizohet për qëllime komerciale dhe natyrisht që brenda rregullave të përcaktuara edhe nga kontrata që është në Aeroportin e Prishtinës por gjithashtu me interes të madh edhe për qytetarët edhe për kompanitë. Do të thotë edhe mund të përdoret për kargo edhe për servisim të aeroplanëve”, thotë ajo.

Në anën tjetër në një përgjigje me shkrim të Ministrisë së Mbrojtjes për KosovaPress, bëhet e ditur se FSK e shfrytëzon hapësirën e Aeroportit të Gjakovës varësisht nga nevojat për aktivitetet stërvitore.

“FSK, sikur edhe pronat tjera në shfrytëzim, edhe hapësirën e Aeroportit të Gjakovës, aktualisht por edhe në të ardhmen, e shfrytëzon varësisht nga nevojat për aktivitetet stërvitore, operacionale dhe mbështetëse të njësive të saj”, thonë nga kjo ministri.

KosovaPress ka kontaktuar edhe Autoritetin e Aviacionit Civil lidhur me çështjen e Aeroportit të Gjakovës, por që nuk kanë pranuar të deklarohen./KP