AHTISAARI INFEKTOHET PËR HERË TË DYTË ME COVID-19

Ish-presidenti i Finlandës, Martti Ahtisaari, i dërguari special i OKB-së për statusin e Kosovës, është dërguar në spital pasi është infektuar sërish me koronavirus.

 

Autoritetet finlandeze kanë bërë të ditur se nuk e dinë se ku mund të jetë infektuari 84-vjeçari, i cili në fillim të pandemisë – pra në mars të vitit të kaluar pati rezultuar pozitiv në testin e COVID-19.

Presidenti finlandez Sauli Ninisto, ka njoftuar se Ahtisaari është mirë, por se duhet të qëndrojë në spital, raporton Associated Press.

Katër muaj më parë ishte raportuar se Ahtisaari vuan nga sëmundja e Alzhajmerit, dhe për këtë arsye nuk do të shfaqet shpesh në publik, përcjell Telegrafi.

Ish-arsimtari i shkollës së mesme që në diplomaci i kaluar dekada të tëra, ish-negociator për paqe i qeverisë finlandeze në Kombet e Bashkuara – e falë rolit të tij ka fituar Çmimin Nobel për Paqe në vitin 2008.

Ndër tjera, Ahtisaari mori pjesë në arritjen e marrëveshjes së Kumanovës gjatë luftës në Kosovë për tërheqjen e ushtrisë, policisë dhe forcave paramilitare të Serbisë, ndihmoi Namibinë të pavarësohet.

President i Finlandës ishte nga viti 1994 deri më 2000, ku më pas themeloi organizatën joqeveritare “Iniciativa për menaxhimin e krizave” (CMI), që kishte për qëllim parandalimin dhe zgjidhjen e konflikteve përmes dialogut joformal. Nga CMI u tërhoq në vitin 2017.