AKI KONFIRMON ARRESTIMIN E ISH-PUNËTORIT TË SAJ

Agjencia e Kosovës për Inteligjencë (AKI) ka konfirmuar njoftimin e lëshuar nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, më datën 21.10.2021 lidhur me arrestimin e personit M.K.

 

Në njoftimin për media thuhet se “AKI, në kuadër të kompetencave të saj sipas Ligjit Nr. 03/L-063, Nenin 2 dhe Nenin 10, ka përfunduar procedurat e brendshme ndaj personit M.K dhe në përputhje me Nenin 25.2 të Ligjit për AKI ka njoftuar Prokurorin publik kompetent”.

“Pavarësisht se nga kush cenohet siguria e Republikës së Kosovës, AKI mbetet e përkushtuar në zbatimin e mandatit dhe kompetencave të saj kushtetuese dhe ligjore, si dhe në përmbushjen e detyrave në shërbim të sigurisë së Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka njoftuar sot se ka ndaluar një ish-punonjës të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, i cili dyshohet se ka zbuluar informacione të klasifikuara dhe ka rrezikuar sigurinë e shtetit.