AKTAKUZË KUNDËR NJË PERSONI PËR PRODHIM DHE SHITJE TË MISHIT PA AFAT

Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti i Përgjithshëm, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit Xh.G., për shkak të veprës penale “Prodhimi dhe vënia në qarkullim e artikujve të dëmshëm ushqimorë” nga neni 261 paragrafi 1 lidhur me nenin 77 paragrafi 1, të KPRK-së.

 

Sipas aktakuzës, i pandehuri Xh.G., në vazhdimësi, në Fushë Kosovë, saktësisht në rrugën “Hajrullah Zymi” afër shkollës fillore “Mihal Grameno”, me qëllim të përfitimit të kundërligjshme pasuror ka vu në shitje produkte ushqimore duke e ditur se janë të dëmshme për shëndetin e njerëzve në atë mënyrë që të njëjtit në lokalin e tij nga Inspektori Sanitar i Agjensionit të Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) dhe nga Policia e Kosovës, i janë gjetur një sasi prej 126 kg e produkteve të mishit, pa dokumentet e nevojshme të kontrollit nga personi kompetent, pa dokumentin e prejardhjes, si dhe pa datën e prodhimit apo të skadimit, ndërsa, në po të njëjtën ditë, të datës 12.10.2021, rreth orës 20:00, në oborrin e shtëpisë së tij, në një depo të pasiguruar mirë i është gjetur një sasi prej 50 kg mish, po ashtu pa dokument të prejardhjes dhe datën e prodhimit apo skadimit, të cilat produkte pas analizave të bëra nga Laboratori i AVU-së kanë rezultuar pozitiv me përmbajtjen e baktereve Escherichia coli dghe Sallmonella spp, çka me këtë seriozisht ka rrezikuar shëndetin e qytetarëve të Republikës së Kosovës.

Me këtë, i pandehuri e ka kryer veprën penale “Prodhimi dhe vënia në qarkullim e artikujve të dëmshëm ushqimorë”, nga nenin 261 paragrafi 1 lidhur me nenin 77 paragrafi 1, të KPRK-së.