ALBRIGHT: JAM MIRËNJOHËSE NDAJ KOSOVËS E SHQIPËRISË PËR OFRIMIN E STREHIMIT PËR AFGANËT

Ish-sekretarja e Shtetit Madeleine Albright ka shprehur mirënjohjen e saj për vendet që kanë pranuar të mirëpresin refugjatët afganë, në mesin e tyre edhe Kosovën dhe Shqipërinë.

Ajo në një postim në Twitter ka thënë se duhet të përqendrohemi në shpëtimin e jetëve në Afganistan.

“Ndërsa SHBA po punon për të evakuuar ata që janë në rrezik të veçantë nga talibanët, unë jam mirënjohës ndaj Shqipërisë, Kanadasë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut për ofrimin e strehimit aleatëve afganë, grave dhe udhëheqësve të shoqërisë civile. Shpresoj dhe pres që të tjerët të ndjekin”, ka shkruar Albright.

Ndryshe, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, por edhe Qeveria e Kosovës dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, sot konfirmuan atë që dy ditë më parë raportoi agjencia Reuters, se Qeveria amerikane ka zhvilluar bisedime me Kosovën dhe Shqipërinë për të strehuar përkohësisht afganët që kanë punuar me forcat amerikane në Afganistan.

Në Afganistan, militantët talibanë po marrin me shpejtësi kontrollin nga forcat qeveritare, teksa forcat ndërkombëtare, të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara, kanë nisur tërheqjen.

Shumë afganë që kanë punuar me forcat e huaja kanë frikë nga hakmarrja e militantëve talibanë për shkak të punës së tyre.

Departamenti amerikan i Shtetit ka shpallur një program të ri i cili u mundëson mijëra afganëve mundësinë të zhvendosen si refugjatë në SHBA.

Mijëra afganë që do të jenë pjesë e këtij programi duhet të barten në një shtet të tretë, dhe të presin për 12 deri në 14 muaj derisa të analizohet gjithë aplikacioni./KP