AMBASADORI I RI AMERIKAN NË DITËN E PARË, NDERON RUGOVËN

Dëshirën që e pati e realizoi.

 

Qysh në ditën e parë të punës, ambasadori i ri amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, bëri homazhe te varri i presidentit të ndjerë, Ibrahim Rugova. Për të pati dhe ka respekt të madh.

“Doja ta bëja këtë gjë si shenjë respekti për doktor Rugovën dhe çka ai paraqet dhe çka përfaqësonte ai në kohën kur unë kisha nderin ta njihja në procesin që atëherë ishte në Rambuje. E di për çka ai qëndronte dhe është me rëndësi që të nderohet dhe kujtohet”.

Hovenier shkoi në Velani, i shoqëruar nga presidentja aktuale, Vjosa Osmani, të cilës paraprakisht ia dorëzoi letrat kredenciale që e zyrtarizojnë atë si kryediplomat amerikan në Kosovë.

E kur me nikoqiren doli të flasë për gazetarët, nuk foli anglisht.

“Unë jam krenar dhe i përulur dhe paksa çuditshëm nga kjo mundësi për të qenë pjesëmarrës sërish së bashku në këtë proces dhe punë dhe të jem përfaqësues i presidentit Biden. Në fund të fundit, e ardhmja e Kosovës varet nga prijësit dhe populli i saj. Besoj që qeveria e populli i Kosovës janë në duar të mira”.

Hovenier tha se shërbimi edhe njëherë në Kosovë është nderi i jetës së tij, ndërsa paralajmëroi përpjekje të përbashkëta për ta ndihmuar zhvillimin e demokracisë dhe për ta luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin.

Nga pala tjetër, u tha se Amerika nuk ka aleat më të mirë se Republikën e Kosovës.

Jeffrey Hovenier, mandati i të cilit zgjat tre vjet, është një diplomat karriere dhe ishte pjesë e stafit të të dërguarit të OKB-së Martti Ahtisaari për bisedimet rreth statusit të Kosovës.