ANALISTËT E SHOHIN NË KËNDVËSHTRIME TË NDRYSHME QEVERISJEN TRE MUJORE TË ALBIN KURTIT

Kuvendi i Kosovës ka debatuar për punën njëqind ditore të Qeverisë me kërkesë të partisë opozitare PDK.

Deputetët opozitarë në Kosovë e kanë kritikuar Qeverinë për mos përmbushje të premtimeve derisa kryeministri, Albin Kurti tha se për 100 ditë nuk mund të realizohet premtimet e një mandati 4-vjeçar.

Në “Debat Plus” analisti Bujar Dugolli thotë se nuk ka pasur diçka të vlefshme nga kritikat e opozitës në Kuvend.

Ai ka përmendur si suksese të Qeverisë, menaxhimin e pandemisë, rritjen e të hyrave financiare, anulimin e disa kontratave që thotë se janë cilësuar të dëmshme.

“Mendoj se janë bërë disa hapa që mund të konsiderohet si fillim i mbarë i kësaj qeverie”, deklaroi Dugolli, përcjell Telegrafi.

Astrit Gashi ka thënë se tre muaj qeverisje nuk janë shumë por sipas tij, qeverisja e Kurtit më shumë krahasohet me qeverisjet e kaluara se me opozitën e LVV-së.

“Unë kam pritur të shoh Kurtin e opozitës në pushtet e jo fytyrën tjetër të qeverisjes”.

Gashi thotë se Kurti nuk po ka guxim të kthejë reciprocitetin me Serbinë.

“Isa Mustafa nuk është më, as Ramush Haradinaj e askush që të ka penguar në këtë proces, pse tash nuk po e vendos reciprocitetin”.

Juristi Bardhyl Hasanpapaj thotë se të gjithë e dinë se reciprociteti do t’i bënte dëm të madh Kosovës.

“Rrethanat kanë ndryshuar substancialisht. Albin Kurti do t’i bënte dëm të madh Kosovës nëse vendos reciprocitetin. Nuk mund të shkosh edhe në negociata edhe të vendosësh reciprocitet. Haradinaj e ka vendos reciprocitetin për të bllokuar dialogun pasi kishte pasur negociata për ndarjen e Kosovës. Tashmë ky rrezik ka kaluar”, deklaruar Bardhyl Hasanpapaj.Telegrafi