ANALISTËT KOMENTOJNË KANDIDATURËN E ARBEN VITISË PËR KRYETAR TË PRISHTINËS (VIDEO)

Analistët politikë kanë komentuar kandidimin e mundshëm të Arben Vitisë për kryetar të Komunës së Prishtinës.

Ndonëse Lëvizja Vetëvendosje ende zyrtarisht nuk e ka konfirmuar kandidimin e Arben Vitisë për kryetar të Prishtinës, Telegrafi një ditë më parë raportoi se Vitia do t’i hyjë garës për të parin e kryeqytetit.

Analisti Dardan Gashi, deklaroi se Vitia i ka kundër kandidatët e fortë.

“Do të jetë e vështirë, kandidatët nuk i ka të lehtë asnjë, kandidati i PDK-së, është i fortë në parti, është duke bërë fushatë që dy muaj. Kandidati i LDK-së është befasi, Daut Haradinaj po ashtu kandidat interesant, Haradinaj për shumë kënd mund të jetë alternativë”, deklaroi ai në Debat Plus të RTV Dukagjini.

Kurse, analisti Imer Mushkolaj tha se LVV nuk mund të ketë kandidat më të mirë se Arben Vitia.

“Nuk besoj që LVV ka kandidat më të mirë për të marrë vota, pastaj se sa do të arrijë Vitia të menaxhojë situatën, mos të harrojmë së një profil të ngjashëm ka pasur Shpend Ahmeti. Menaxhimi i Prishtinës nga Ahmeti lë për të dëshiruar. Problematik tjetër ka me qenë kalimi nga ministri i Shëndetësisë në kandidat për kryetar të Prishtinës, në këtë situatë me pandeminë kur ka rritje të rasteve me COVID-19”, theksoi ai.

Zgjedhjet lokale do të mbahen më 17 tetor. /Telegrafi/