ANDIN HOTI TREGON SI E PËRJETUAN RAPORTIMIN PËR BABAIN E ZHDUKUR

Ish-deputeti i PDK-së dhe kryetari i Komisionit Qeveritar për të Pagjeturit, Andin Hoti, ka folur për raportimin e disa muajve më parë rreth “kthimit të eshtrave” të Ukshin Hotit në Kosovë me titullin “Ekskluzive: Ukshin Hoti kthehet në Kosovë”.

 

Djali i Ukshin Hotit ka treguar se si një raportim më një titull të tillë ka shkaktuar shqetësim të madh në familjen e tij, teksa shton se halla e tij ka qëndruar e shtrirë dhe e sëmurë për një javë si rezultat i atij raportimi.

“Atë ditë kur ka dalë lajmi i tillë unë kam qenë duke shkuar në një takim multilateral ku ka marrë pjesë Kosova, Serbia, Bosnja, Kroacia e të tjera dhe fatkeqësisht dul një lajm i tillë. Unë e kam demantuar një lajm të tillë. Ai lajm ka ndiku aq shumë, aq sa halla ime ka qenë një jave e sëmurë, e shtrirë”, ka thënë Andin Hoti në Frontal të T7.

Hoti thotë se është duke e bërë gati padinë ndaj mediumit dhe gazetares që ka raportuar në një mënyrë të tillë.

“Jam kontaktuar edhe nga gazetarja e cila më ka ofenduar në telefon, që ajo e dinë që përnime po kthehet e unë nuk po e disha si djali i Ukshin Hotit. Unë jam duke ngritur padi edhe ndaj atij portal edhe ndaj asaj gazetare sepse mendoj që jo vetëm unë, por paramendojeni nënën Nysrete, paramendoni nënat e tjera që janë në moshë dhe emocionet i kanë shumë më Të forta, çfarë ju ndodhë atyre me lajme të tilla”, ka thënë Andin Hoti.

Andin Hoti përmes llogarisë së tij në “Facebook” kishte reaguar dhe e kishte quajtur lajm të rrejshëm raportimin për “kthimin e shtrave” të Ukshin Hotit në Kosovë.

“Lajm i rrejshëm”, kishte shkuar Andin Hoti në shtator të këtij viti.

Një raportim të tillë e kishte demantuar edhe Kushtrim Gara nga Komisioni Qeveritar për të pagjeturit.

“Lajme të tilla, krahas shkaktimit të dhimbjes së familjeve, dëmtojnë rëndë procesin e ndriçimit të fatit dhe vendndodhjes së personave të zhdukur”, kishte thënë Kushtrim Gara nga Komisioni qeveritar për të pagjeturit.