ARRESTOHEN DHJETË ZYRTARË NË SHTËRPCË, NË MESIN E TYRE EDHE ISH KRYETARI I KOMUNËS BRATISLAV NIKOLIQ

Prokuroria Themelore në Ferizaj ka njoftuar se ka arrestuar ish kryetarin e Komunës së Shtërpcës, Bratislav Nikoliq dhe nëntë zyrtarë tjerë gjatë aksionit për ndërtime pa leje.

Në njoftim thuhet se aksioni është duke vazhduar në Komunën e Shtërpcës, transmeton Telegrafi.

Nikoliq që nga viti 2009 ishte kryetar i Komunës së Shtërpcës, ai është anëtar i Listës Serbe.

“Prokuroria Themelore në Ferizaj, ju njofton se me urdhër të saj dhe në koordinim të plotë me Policinë e Kosovës -Drejtorinë e Krimeve të Rënda në Prishtinë janë duke e zhvilluar një aksion në komunën e Shtërpcës.

Lidhur me këtë aksion deri më tani me urdhër të Prokurorit të Shtetit, janë arrestuar dhjetë (10) persona të dyshuar, në mesin e tyre edhe ish kryetari i komunës së Shtërpcës, drejtori i Urbanizmit, disa zyrtar të tjerë dhe pronar të firmave, për shkak të dyshimit të veprave penale  ‘Marrja e ryshfetit’, ‘Dhënia e ryshfetit’ dhe ‘Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’ të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)”, thuhet në njoftimi.

Tutje, Prokuroria njofton se pas përfundimit të operacionit do të bëhen publike edhe detaje tjera. /Telegrafi/