ARRESTOHET NJË PERSON NË AEROPORTIN E PRISHTINËS

Policia e Kosovës sot ka arrestuar në Aeroportin e Prishtinës shtetasin shqiptar me inicialet R.Q., nën dyshimet për dorëzim të dokumenteve të rreme në Ambasadën e Kosovës në një shtet tjetër.

Këto dokumente që dyshohen si të falsifikuara, certifikatë e lindjes, i ka dorëzuar me qëllim të prezantimit si dokumente origjinale, duke sjellë në lajthim organet kompetente, në zyrën e regjistrit civil në Prishtinë, dhe duke arritur që të pajiset me numër personal dhe më pastaj me dokumentacione të Kosovës.

Më këto veprime i dyshuari dyshohet se ka kryer veprën penale legalizim i përmbajtjes së rreme.

Rasti kundër R.Q. ishte ngritur në tetor 2017, por në fazën e hetimeve i njëjti ishte i paarritshëm për policinë dhe prokurorinë.

R.Q. është kapur derisa po tentonte të fluturojë në një shtet tjetër nga Policia Kufitare e Kosovës dhe më pastaj i njëjti i është dorëzuar Njësisë së Hetimeve të Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prishtinë. Me vendimin e prokurorit, i njëjti është dërguar në mbajtje për 48 orë./KP