AUV-I PARALAJMËRON INSPEKTIM EDHE GJATË NATËS SË VITIT TË RI

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë nga data 24 e deri më 30 dhjetor, ka gjobitur 288 biznese për mosrespektim të masave anti-COVID, prej tyre 70 lokale.

 

Po ashtu, janë larguar klientët nga lokalet e disa prej tyre edhe janë gjobitur.

Zëdhënësi i AUV-it, Lamir Thaçi, ka deklaruar se disa lokale janë mbyllur përkohësisht, për shkak të pamundësisë së krijimit të kushteve për respektim të masave anti-COVID.

“Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, bazuar nga të dhënat për situatën epidemiologjike në vend, ka shtuar frekuencën e kontrolleve për mbikëqyrje të zbatimit të masave në javën e fundit. Nga data 24 deri me 30 dhjetor janë bërë 2287 inspektime. Për shkelje të masave sipas vendimit të fundit të Qeverisë janë gjobitur 288 operatorë të biznesit prej tyre në 70 lokale për shkak të pamundësisë se krijimit të kushteve për respektim të masave. Janë larguar klientët para orarit të përfundimit të punës, dhe po ashtu janë mbyllur përkohësisht. Ndaj personave fizikë janë shqiptuar 12 gjoba”, ka deklaruar Thaçi për Express.

Thaçi tha se do të ketë mbikëqyrje të masave anti-COVID edhe gjatë natës së ndërrimit të motmoteve.

“Edhe pse jemi ne festa të fundvitit, gjithmonë duhet të kemi parasysh se gjendemi në situatë të rrezikut nga pandemia COVID 19. Asnjë formë e festimit qe rrezikon shëndetin publik nuk është e tolerueshme. Shteti ka vendosur masat ashtu sikurse në shumicën e vendeve. Të tregojmë kulturë të lartë qytetare duke shprehur kujdesin për jetë dhe shëndet. Ne si autoritete ligje-zbatuese mbikëqyrëse kemi për detyrë të veprojmë në secilin raste të shkeljeve që hasen gjatë kontrolleve. Festoni dhe uroni duke mos e rrezikuar veten dhe të tjerët. Inspektorët do të jenë aktivë gjatë gjithë kohës”, ka deklaruar Thaçi.

Ndryshe, nga Ministria e Shëndetësisë kanë deklaruar se nuk do të ketë lehtësim të masave për ndërrim të motmoteve.