BARCELONA NIS ME FITORE EDICIONIN E RI TË LA LIGËS

Në ndeshjen e parë pas largimit të Lionel Messi, futbollistët e Barcelonës shënuan sonte fitore në përballje me Real Sociedad.

Pas 90 minutave lojë rezultati në “Camp Nou” ishte 4:2 për katalanasit.

Gerard Pique shënoi golin e parë në minutën 19, ndërsa epërsinë e dyfishoi Marthin Brathwaite në minutën e dytë të kohës shtesë të pjesës së parë. I njëjti lojtar në pjesën e dytë shënoi edhe golin e tij të dytë në minutën 59.

Pas kësaj, lojtarët e Barcelonës sikur u kënaqën me rezultatin e arritur dhe mysafirët arritën ta shfrytëzojnë këtë duke shënuar dy gola për tre minuta. Julen Lobete Cienfuegos së pari shënoi në minutën 82, ndërsa Mikel Oyarzabal shënoi edhe golin tjetër në minutën 85.

Megjithatë, Barcelona riktheu radhët e veta dhe shënoi edhe golin e katërt përmes Sergi Roberto në minutën e parë të kohës shtesë së pjesës së dytë për rezultatin përfundimtar 4:2.

Të përzgjedhurit e Ronald Koeman ndeshjen e xhiros së dytë do ta zhvillojnë si mysafirë kundër Athletic Bilbao, më 21 gusht./KP