BE gjobë maksimale AstraZeneca-s për vonesat në shpërndarjen e vaksinave

Bashkimi Europian i ka kërkuar gjykatës së Brukselit t’i vendosë një gjobë maksimale AstraZeneca-s për vonesat e saj në shpërndarjen e vaksinave antiCOVID-19.

Sipas avokatëve që paraqitën kërkesën, qëllimi është që të merren 10 euro për dozë për çdo ditë vonesë.

BE po kërkon gjithashtu një gjobë prej 10 milion eurosh nga AstraZeneca për çdo shkelje të kontratës që gjyqtari është në gjendje të konstatojë, raporton ATSh.

“AstraZeneca ka kryer një shkelje të dukshme të kontratës për shpërndarjen e vaksinave antiCOVID-19 në vendet anëtare të BE-së, me 50 milionë doza që nga fabrika holandeze Halix në Leiden u transferuan në vendet e treta”, tha avokati Me Rafaël Jeffareli, i cili mbron interesat e vendeve anëtare dhe KE-së në betejën ligjore që filloi këtë mëngjes para drejtësisë belge të shkallës së parë.

Vendimi pritet muajin tjetër./KP