BRENDA DISA MUAJVE 188 PERSONA TETUAN TË FUTEN ILEGALISHT NË KOSOVË

Edhe pse shumë të rinj nga Kosova zgjedhin që të ikin jashtë vendit, për një jetesë më të mirë ka të tillë që vijnë në Kosovë për arsye të ndryshme.

 

Disa duke ikur nga luftërat, e të tjerë për arsye të tjera por për t’u inkuadruar në një shtet tjetër, shkruan lajmi.net.

Mbi 750 shtetas afganë të cilët ikën nga Afganistani pasi talibanët morën kontrollin mbi këtë shtet në muajin gusht, vazhdojnë të gjenden në Kosovë.

Kosova ishte njëra nga shtetet që hapi dyert për pranimin e përkohshëm të shtetasve afganë, të cilët këtu mund të qëndrojnë më së shumti deri në një vit.

Nga Ministria e Punëve të Brendshme është bërë e ditur se që nga fundi i muajit gusht në Kosovë kanë arritur 1.286 persona nga Afganistani, kurse 528 afganë janë larguar për në SHBA dhe vende të tjera aleate.

Por jashtë këtyre ka të tillë që tentojnë të futen ilegalisht në Kosovë.

Disa nga vendet e rajonit, e shumë të tjerë edhe nga shtete më të largëta.

Lidhur me këtë nga Policia e Kosovës kanë thënë për lajmi.net se gjatë këtyre muajve të vitit 2021 ishin gjithsej 188 persona të cilët kanë kaluar vendkalimet kufitare në mënyrë të paautorizuar.

Kësisoj në shumë raste, Policisë së Kosovës i është dashur të merret me raste të ndryshme anti-ligjore të cilat janë shkaktuar nga persona të papërgjegjshëm.

Në rastet e shumta të raportuara nga Policia e Kosovës personave të cilët kryejnë veprën “Kalim i paautorizuar i vendkalimeve kufitare ose i vijës kufitare” iu konfiskohen edhe gjëra ilegale.

Por nga të dhënat e Policisë së Kosovës është theksuar se gjatë vitit të kaluar pati gjithsej 221 persona të cilët kryen veprën e lartcekur.

Numri më i vogël i atyre që kaluan kufirin në mënyrë të paautorizuar ishte në vitin 2019, ku vetëm 72 persona kishin kryer këtë vepër.

Disa nga këta persona të cilët bënë kalim të paautorizuar të vendkalimeve kufitare në hyrje të Kosovës janë ndaluar nga Policia e Kosovës për një periudhë kohore.

Në bazë të të dhënave të Policisë së Kosovës krahasuar me dy vitet paraprake gjatë këtij viti pati numër mjaftë të lartë të atyre që tentuan që ilegalisht të futen në shtetin e Kosovës.

Duhet përkujtuar që kalimi në mënyrë ilegale i kufijve të Kosovës është bërë shpesh herë në forma të ndryshme, por shumica prej tyre në mënyrë të transportit tokësor.

Derisa për kosovarët shpesh herë dyert u hapën në vendet e huaja të botës, Kosova ndër vite është bërë vendstrehim edhe për disa nga shtetasit e huaj që për arsye nga më të ndryshmet vendosën të gjejnë vendqëndrim në shtetin tonë./Lajmi.net/