CAKTOHET SEANCA E ARDHSHME NDAJ ISH-KRERËVE TË UÇK-SË

Gjykatësi i Procedurës Paraprake ka caktuar seancën e ardhshme statutore në rastin e ish-krerëve të UÇK-së në Speciale.

 

Seanca do të mbahet më 29 tetor sipas vendimit të gjykatësit Nicolas Guillou, teksa palët do të kenë kohë që parashtresat e tyre me shkrim t’i dërgojnë më së largu deri më 27 tetor.

Siç është bërë e ditur, në këtë seancë statutore, të shtatën me radhë, do të diskutohet lidhur me dorëzimin e dosjes paraprake dhe afatin e propozuar nga Prokuroria, që është 17 dhjetori.

Në këtë pikë, pritet të ketë diskutime të ashpra pasi që mbrojtja ka kërkuar që kjo dosje të dërgohet jo më vonë se më 31 tetor.

Gjithashtu, do të diskutohet edhe për listën e dëshmitarëve që pritet të dorëzohet më 22 tetor, nëse për të ekzistojnë ankesa, përcjell lajmi.net.

Pikë tjetër e kësaj seance është edhe informimi nga mbrojtja në lidhje me statusin e hetimeve të tyre.

Ndryshe, Thaçi, Veseli, Krasniqi e Selimi janë që nga 5 nëntori në paraburgim në Hagë.