ÇDO KËRCËNIM NDAJ KRERËVE SHTETËRORË DUHET MARRË SERIOZISHT, VLERËSON EKSPERTI I SIGURISË (VIDEO)

Masa të shtuara të sigurisë janë parë të mërkurën mbrëma përreth shtëpisë së kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Zëdhënësi i qeverisë, Përparim Kryeziu, tha se kryeministri Kurti është kërcënuar dhe për këtë arsye, “si masë e kujdesit të shtuar, është rritur edhe niveli i tij i sigurisë. Institucionet e hetuesisë dhe sigurisë tashmë janë duke bërë punën e tyre. Ato bëjnë vlerësimet e nevojshme dhe ndërmarrin masat përkatëse”, tha ai, por pa dhënë më shumë hollësi rreth natyrës së kërcënimit.

Policia në një komunikatë për media thekson se hetimet janë duke vazhduar, ndërsa njofton se Njësia e reagimit të shpejtë është larguar nga lokacioni.

Policia e Kosovës megjithatë thotë se në këtë aktivitet nuk ka pasur të angazhuar asnjë zyrtarë të njësive speciale.

Për ekspertin e sigurisë Drizan Shala, çdo kërcënim që bëhet ndaj zyrtarëve shtetërorë, edhe nëse bëhet në formë shakaje, duhet të merret seriozisht.

“Çdo kërcënim që vjen në adresë të bartësve institucional duhet të merret seriozisht. Në ketë rast duhet të merren masa shtesë për të mbrojtur personin publik, pavarësisht se nga cila parti vjen”, deklaroi për RTV Dukagjinin Drizan Shala.

Lidhur me rastin menjëherë janë iniciuar hetimet dhe ato janë duke vazhduar, përderisa bazuar në hetimet e deritanishme dhe vlerësimin e rrezikut, njësia e reagimit të shpejtë është larguar nga lokacioni./Telegrafi/