ÇITAKU: MEHAJ KA SHKELUR LIGJIN KUR KA KËRKUAR ASETET E FSK PËR VERIUN

Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku ka reaguar pas shkarkimit të komandatit të FSK-së, gjenerallejtnant Rrahman Rama dhe emërimit të Bashkim Jasharit në këtë post, duke thënë se të dyja vendimet duhej përcjellur me ceremoni ushtarake.

 

Çitaku, me anë të një postimi në Facebook, ka thënë se ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka bërë shkelje të rëndë të ligjit duke kërkuar që të shfrytëzoheshin autoblindat e FSK-së në operacionin policor në veri të Mitrovicës, shkruan lajmi.net.

“Ajo çfarë ka ndodhur javëve të fundit me FSK-në nuk duhet të normalizohet. Ministri Mehaj ka bërë shkelje të rëndë edhe të ligjit, po edhe të marrëveshjes me SHBA-të, duke kërkuar nga Komandanti i FSK-së që t’i japë c për shfrytëzim në operacione policore. Me veprime të tilla cënohet rëndë kredibiliteti i FSK-së si partnere dhe aleate. Reagimi nga SHBA-të ka qenë i ashpër dhe i menjëhershē”, thuhet në postimin e saj.

“Në vend se të dekorohet, Gjeneral Rama dorëhiqet, pak pa e përmbyllur mandatin. Gjeneral Jasharajt i dëshiroj sukese dhe mbarësi. Besoj fuqishëm se edhe komandanti i ri i ushtrisë do ta ruaj integritetin e FSK-së. Jam e bindur se do të dalë faqebardhë”, ka shkruar tutje ajo.

Postimi i plotë:

Forca e Sigurisë së Kosovës është institucioni më kredibil dhe më profesional në Republikën e Kosovës.

Përgjatë viteve, kam pasur nderin e veçantë që të bashkëpunoj me shumë oficerë të FSK-së. Gjatë shërbimit tim si Ambasadore në SHBA, kam pasur privilegjin që të shoqëroj dhjetëra delegacione zyrtare. Asnjëherë nuk jam ndjerë më krenare se kur kam qenë përkrahë ushtarëve të FSK-së.

Nuk do ta harrojë kurrë tetorin e vitit 2018, kur bashkë me ndihmësen e Sekretarit Amerikan të Mbrojtjes, Laura Cooper, kam bashkë-kryesuar mbledhjen e parë të Grupit Punues për Politika të Sigurisë SHBA-Kosovë, të mbajtur në Pentagon. Për nga pregaditja dhe profesionalizmi, oficerët e FSK-së ishin në të njejtin nivel me oficerët amerikan.

Përgjatë fazave të ndryshme të transformimit, nga UÇK, në TMK e më pas FSK, është ruajtur bërthama e luftës çlirimtare, paralelisht me krijimin e vlerave të reja.

Nga Gjeneral Rama, kolonel Qeriqi, kolonel Dreshaj, deri tek Arilena Shala, Yll Dalladaku, Ilirijanë Bunjaku e Luan Haradinaj, ( po i përmend me emër këta me të cilët kam bashkëpunuar, pa i hyrë në hak askujt) FSK sot është ushtri moderne, me oficerë të pregaditur e shkolluar në Akademitë më prestigjioze ushtarake në botë.

Falë punës së tyre para së gjithash, kemi arritur ta ndërrojmë mandatin e FSK-së në ushtri, dhe sot pjesëtarët e FSK-së janë në misione të përbashkëta me trupat amerikane.

Ajo çfarë ka ndodhur javëve të fundit me FSK-në nuk duhet të normalizohet. Ministri Mehaj ka bërë shkelje të rëndë edhe të ligjit, po edhe të marrëveshjes me SHBA-të, duke kërkuar nga Komandanti i FSK-së që t’i japë asetet e FSK-së për shfrytëzim në operacione policore. Me veprime të tilla cënohet rëndë kredibiliteti i FSK-së si partnere dhe aleate. Reagimi nga SHBA-të ka qenë i ashpër dhe i menjëhershēm.

Në vend se të dekorohet, Gjeneral Rama dorëhiqet, pak pa e përmbyllur mandatin.

Gjeneral Jasharajt i dëshiroj sukese dhe mbarësi. Besoj fuqishëm se edhe komandanti i ri i ushtrisë do ta ruaj integritetin e FSK-së. Jam e bindur se do të dalë faqebardhë.

Në fund fare, shteti është edhe ceremoni dhe simbolika. Gjeneral Rama e ka merituar të përcillet me nderime dhe ceremoni, sikurse që Gjeneral Jashari e ka merituar ta pranojë detyrën me ceremonitë që i takojnë një emërimi të tillë.