DËNIMI ME 3 VJET E 5 MUAJ BURGIM, AVOKATI I SKENDER KRASNIQIT E QUAN ANTILIGJOR, THOTË SE DO TË ANKOHET NË APEL

 

Ramiz Krasniqi avokati i Skender Krasniqit do të paraqesë ankesë në Gjykatën e Apelit brenda afatit ligjor, pasi klienti i tij u shpall fajtor nga Gjykata Themelore e Prishtinës me tri vite e pesë muaj burgim për veprën penale “vrasje nga pakujdesia” të djalit të tij, Albert Krasniqi. Sipas avokatit Krasniqi, në këtë situatë kur anëtari i familjes privohet nga jeta nga pakujdesia, i akuzuari shpallet fajtor por lirohet nga dënimi.

Avokati Ramiz Krasniqi në një prononcim për Gazetën Express tha se vendimi në fjalë është antiligjor dhe sipas tij, edhe vazhdimi i paraburgimit ka qenë joprofesional dhe kundërligjor.

“Gjithqysh do të ankohem në Gjykatën e Apelit, është vendim antiligjor. Ligji në raste te tilla parasheh, kur nga pakujdesia privohet nga jeta anëtari i familjes, ligji e shpall fajtor por e liron nga denimi. Paraburgimi i është vazhdu në mënyrë joprofesionale dhe kundërligjore. I është vazhdu për shkak të rrezikut të përsëritjes së vepres penale, rrezikut të ikjes, qysh me ikë kurse Skenderi e ka lajmëru vetë policinë”, tha avokati Krasniqi për Gazetën Express.

Ai tha se pret nga Gjykata e Apelit t’i respektojë dispozitat ligjore, e që sipas tij janë në favor të Skënder Krasniqit.

“Unë mendoj që Gjykata e Apelit do t’i respektojë dispozitat ligjore. Respektimi i dispozitave ligjore është në favor të Skënder Krasniqit”, u shpreh ai.

Gjykata njoftoi se Krasniqi u dënua për veprën penale “Vrasja nga pakujdesia” nga neni 175 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

“I akuzuari S.K është shpallur fajtor dhe është dënuar me burgim në kohëzgjatje prej tre (3) vite e pesë (5) muaj, i cili dënim do të ekzekutohet në afat prej 15 ditësh nga plotfuqishmëria e këtij aktgjykimi. Koha e kaluar nën masën e paraburgimit për të pandehurin do të llogaritet në dënimin e shqiptuar me burgim prej datës 27.01.2021”, njoftoi gjykata.

Albert Krasniqi ishte vrarë më 27 janar të vitit 2021, në afërsi të banesës së tij në lagjen “Mati” në Prishtinë.

Në afërsi të vendit ku ishte vrarë Albert Krasniqi

Vrasja e tij kishte tronditur kryeqytetin dhe vendin në përgjithësi, i ndjeri ishte i njohur për shkak të miqësisë së tij me personazhe të estrades, martesës me ish-missin e Kosovës dhe si djalë që rridhte nga një familje afaristësh.

Albert dhe Skender Krasniqi

Sipas familjarëve, Albert Krasniqi ishte goditur me plumb në gjoks, ndërsa armën e kishte blerë vetë.

Atij i ishte dhënë lamtumira e fundit në prani të një numri të madh njerëzish.