“DO TË BLEJ ARMË E DO T’I QËROJ HESAPET ME JUVE”, ARRESTOHET NË RAHOVEC I DYSHUARI QË KËRCËNOI GRUAN E TIJ DHE NUSEN E DJALIT

“Do të blej armë zjarri dhe do t’i qëroj hesapet me të gjithë juve”. Me këto fjalë dyshohet se kishte kërcënuar kryefamiljari, bashkëshorten e tij dhe bashkëshorten e djalit të tij, pasditen e së mërkurës në fshatin Dabidol të Rahovecit.

Ai tashmë është arrestuar nga Policia e Kosovës dhe është ndaluar për 48 orë.

Ky kërcënim erdhi pas një mosmarrëveshje që kishte pasur një ditë më parë, tani i dyshuari me tre djemtë e tij, të cilët janë në mbajtje.

Bashkëshortja e tij dhe bashkëshortja e djalit të tij kishin kërkuar ndihmën e Policisë së Kosovës.

Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Gjakovës, Nysret Gjurkaj.

“Me datë 12.01.2022, rreth orës 14:00 bashkëshortja dhe nusja kanë kërkuar një patrulle policore për arsye se ishin ndier të kanosur nga burri përkatësisht vjehrri. Patrulla policore ka dalë në vendin e ngjarjes në fshatin Dobidol – Rahovec dhe ka kontaktuar me viktimat të cilat kanë deklaruar se burri , përkatësisht vjehrri sot në mëngjes i kishte kanosur me fjalët se do ta blej një armë zjarri dhe do t’i qëroj hesapet me të gjithë juve”, bëri të ditur Gjurkaj për Telegrafin.

Sipas tij, deri te incidenti kishte ardhur për arsye se tani i dyshuari një ditë më parë, pas një mosmarrëveshje ishte sulmuar nga djemtë e tij  dhe kishte pësuar lëndime trupore për çka edhe është hapur rasti “Dhunë familjare”.

“Lidhur me rastin është informuar prokurori kujdestar dhe me urdhër të tij i dyshuari ndalohet për 48 orë në Qendrën e Ndalimit. Lidhur me rastin janë njoftuar QPS Rahovec dhe Mbrojtësi i viktimave te Dhunës në Familje”, tha Gjurkaj.

Ndryshe, i arrestuari i ditës së sotme, në mbajtje i ka edhe tre djemtë e tij, të cilët dyshohet se e kishin sulmuar të martën.

Sipas raportit të PK-së, janë arrestuar tre të dyshuar meshkuj kosovarë-vëllezër, pasi që të njëjti dyshohet për shkak të një mosmarrëveshje, e kanë sulmuar fizikisht viktimën mashkull kosovar-babin e tyre.

“Viktima ka pësuar lëndime, të njëjtit i është ofruar tretman mjekësor në Spitalin Rajonal në Gjakovë, ndërsa të dyshuarit pas intervistimit, me urdhër të prokurorit janë dërguar në mbajtje”, thuhet në raport. /Telegrafi/