DON LUSH GJERGJI: KRISHTLINDJA ËSHTË FESTA E JETËS, DASHURISË DHE PAQES

“Krishtlindja është festa e jetës, e dashurisë dhe e paqes”, tha Don Lush Gjergji, famullitar i Ipeshkvisë së Kosovës, nga Katedralja Shën Nënë Tereza në prag të kremtes së kësaj feste.

 

Ai tha se kjo festë është solidaritet mes njerëzve.

Por, si do të ishte bota nëse s’do të lindte Krishti, sipas Don Lush Gjergji.

“Ajo do të ishte ndryshe, sepse do të ishim të robëruar dhe s’do të kishim siguri që kjo jetë tokësore, kalimtare e ka një kuptim dhe domethënie të amshimit të lumtur. Zoti nuk na ka krijuar për vuajtje dhe as për pësim dhe aq më pak për vdekje dhe robëri. Prandaj, ky është solidariteti i Zotit me njeriun. Zoti dëshiron që njeriu të jetë i sigurt, të jetë i lumtur, sepse është kryevepra e tij dhe të jetë në përngjasim me të”.

Ai tha se Krishtlindja është ardhja e Zotit dhe marrja e natyrës njerëzore për t’i ndihmuar njeriut që të mos jetë i vetmuar dhe për t’ia dhuruar tri gjërat karakteristike të kësaj feste.

“Jetën e re, aftësinë për të dashur dhe dhuruar dashuri, aftësinë për të falur dhe për të jetuar në paqe me vetveten, me Zotin dhe me të tjerët. Prandaj, është festa e jetës, e dashurisë dhe festa e paqes”.

Don Lush Gjergji tha mëkati më i madh, sipas fesë katolike, është mungesa e dashurisë – urrejtja.

Meqë Krishtlindja kryesisht njihet se festë e dritës dhe ndriçimit, Gjergji tha se edhe në këtë kohë të reduktimeve të energjisë, duhet gjetur kuptimi.

“Duhet ta gjejmë kuptimin edhe të territ, të ndejës dhe bisedës”.

Famullitari njoftoi se ritin e pritjes e kanë hequr për shkak të pandemisë, por se nga ora 23:30 do të jetë një koncert i vogël i fëmijëve, sepse “ata krijojnë atmosferë të ngrohtë”.