DYSHOHET SE E RRAHU DHE E LARGOI NGA BANESA BASHKËSHORTEN, ARRESTOHET NJË PERSON NË HAN TË ELEZIT

Policia e Kosovës ka arrestuar një të dyshuar për dhunë në familje në Han të Elezit.

Përmes një komunikate për medie është bërë e ditur se rasti është raportuar në polici sot rreth orës 11:30.

“Stacioni policor në Hani Elezit nga Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj, sot rreth orës 11:30 ka pranuar një informacion se në një banesë në rrugën “Xhemsedin Suma” në Hani Elezit është një rast i dhunës në familje”, thuhet në komunikatë.

Siç raporton Policia, i arrestuari është i moshës 37-vjeçare dhe i njëjti dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes dhe të njëjtës i ka shkaktuar lëndime trupore, ndërkaq e ka larguar edhe nga banesa.

“Në lidhje me këtë, policia ka marr veprimet e duhura dhe menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka arrestuar personin e dyshuar me inicialet A.M (M/K) i moshës 37 vjeçar, i cili kishte ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes  së tij me inicialet A.M (F/K) e moshës 36 vjecare, duke i shkaktuar lëndime trupore dhe të njëjtën e kishte larguar jashtë banesës ku po jetonin”, thuhet tutje.

I dyshuari, pasi është intervistuar nga policia, me vendim të Prokurorit të Prokurorisë Themelore në Ferizaj  është dërguar në mbajtje për 48 orë , për procedura të mëtejme hetimore. /Telegrafi/