E SULMON GRUAN E TIJ DHE VAJZËN 1-VJEÇARE

Prokuroria Themelore në Gjakovë, ka bërë kërkesë në Gjykatën kompetente në Gjakovë, dega Malishevë, për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit F.H., me dyshimin e bazuar se i njëjti ka kryer veprën penale lëndim i lehtë trupor.

Rasti ka ndodhur më 29 qershor 2021, në Ngucat të Malishevës, në shtëpinë e tyre të përbashkët, ku i pandehuri kthehet nga puna në gjendje të dehur me një bashkëfshatar, dhe menjëherë fillon t’i bërtasë bashkëshortes, L.H., për shkak se nuk po e përshëndetë atë.

Ai i revoltuar fillon e sulmon të dëmtuarën duke e goditur me shuplaka e grushte në kokë, si dhe e nxjerr jashtë shtëpisë atë së bashku me tre fëmijët, duke i shkaktuar kështu lëndime të lehta trupore.

Njëherësh, F.H., pasi e godet bashkëshorten, i shkakton lëndime trupore edhe vajzës së tij një vjeçare E.H., duke e goditur me shuplakë në fytyrë.

Prokurori i rastit ka bërë kërkesën për caktimin e paraburgimit në afat prej 30 ditësh, dhe i njëjti me urdhër të prokurorit gjendet në ndalim nga data 29 qershor 2021./KP