EDHE KPK I REAGON HAXHIUT: NUK KEMI NEVOJË QË TË MBËSHTETEMI NGA ASKUSH, AQ MË PAK NGA PUSHTETI EKZEKUTIV

Edhe Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) i ka reaguar ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiut lidhur me deklaratat se nuk do ta mbështesin KPK-në dhe Këshilli Gjyqësor nëse mbyllin sytë përballë shkeljeve dhe skandaleve.

KPK thotë se nuk ka nevojë për mbështetje nga askush e aq më pak nga pushteti ekzekutiv.

“Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), si organ kushtetues dhe i pavarur, është duke u atakuar padrejtësisht në vazhdimësi dhe në mënyrë të paarsyeshme nga Ministria e Drejtësisë, siç ndodhi edhe në konferencën e sotme të ministres Albulena Haxhiu. Ju njoftojmë se Këshilli Prokurorial nuk ka nevojë që të mbështetet nga askush, aq më pak nga pushteti ekzekutiv, sepse Këshillin Prokurorial dhe Prokurorin e Shtetit i mbron Kushtetuta dhe ligjet në fuqi, e jo vullnetet politike”, thuhet në reagim.

Ndërsa shtojnë se ndihma që pushteti ekzekutiv mund t’i japë sistemit prokurorial është propozimi i ligjeve adekuate në koordinim dhe bashkëpunim me KPK-në dhe Prokurorinë e Shtetit për të avancuar pozitën e këtyre institucioneve.

“Ndihma që pushteti ekzekutiv mund t’i japë sistemit prokurorial është propozimi i ligjeve adekuate në koordinim dhe bashkëpunim me Këshillin Prokurorial dhe Prokurorin e Shtetit për të avancuar pozitën e këtyre institucioneve dhe për t’i plotësuar nevojat e tyre në realizimin e mandatit kushtetues dhe ligjor, ashtu siç është e përcaktuar edhe me ndarjen e pushteteve. Besimi i publikut në institucionet e drejtësisë nuk mund të fitohet duke i atakuar këto institucione çdo ditë me pretendime të caktuara dhe të dhëna të pasakta dhe të pabazuara, sepse kjo nuk i kontribuon bashkëpunimit të institucioneve”, theksohet në reagim.

Edhe njëherë është ritheksuar se pagesat e ekspertëve mjekoligjorë janë realizuar në bazë të kateve ligjore dhe nënligjore të nxjerra nga Kuvendi dhe Qeveria.

“Edhe sot ia bëjmë me dije opinionit publik dhe Ministres së Drejtësisë, se pagesat e ekspertëve mjekoligjorë janë realizuar në bazë të akteve ligjore dhe nënligjore, të nxjerra nga Kuvendi dhe Qeveria e Republikës së Kosovës. Po ashtu, ekspertët mjekoligjorë janë zyrtarë që veprojnë në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë, prandaj ne iu kemi drejtuar kësaj ministrie me qëllim të rishikimit të Udhëzimit Administrativ, ngase Prokurori i Shtetit e ka të pamundur të realizojë mandatin e tij pa ekspertizat e tyre. Në vend të atakimeve, denigrimeve dhe dezinformatave për institucionet e pavarura, në këtë rast ndaj KPK-së, Ministria e Drejtësisë duhet të punojë që sa më parë t’i nxjerrë aktet e nevojshme nënligjore që rregullojnë këtë çështje, ngase Këshilli Prokurorial i Kosovës është i obliguar të vazhdojë të kompensojë shërbimet e ekspertëve mjekoligjore në bazë të akteve nënligjore aktuale. Sa për dijeninë e opinionit publik, shpenzimet e ekspertëve bien në barrë të të pandehurve që shpallen fajtorë me aktgjykim të formës së prerë nga ana e gjykatave. Këshilli Prokurorial i Kosovës nuk përzgjedh ekspertët mjekoligjorë për të bërë ekspertizat e tyre profesionale, por ata caktohen nga Instituti i Mjekësisë Ligjore, i cili është në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë dhe kjo bëhet sipas “miqësive” brenda këtyre dy institucioneve”, thuhet mes tjerash në reagim.

KPK thonë edhe se nuk qëndrojnë pretendimet e Haxhiut se KPK po mbyllin sytë prapa skandaleve të audioincizimeve.

“Edhe pretendimet e ministres Haxhiu, se Këshilli Prokurorial i Kosovës dhe Prokurori i Shtetit “janë duke i mbyllur sytë prapa skandaleve të audioincizimeve” nuk qëndrojnë, sepse KPK-ja menjëherë ka filluar proceduat disiplinore ndaj një prokurori, ndërsa Prokurori i Shtetit ka ndërmarrë veprimet e veta lidhur me këto audioincizime në përputhje me dispozitat kushtetuese dhe ligjore. Sistemi prokurorial e ushtron mandatin e vet dhe do ta ushtrojë çdo herë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi dhe asnjëherë sipas dëshirave të konferencave për media dhe deklarimeve të pabazuara dhe joprofesionale të kujtdoqofshin ato”, nënvizohet në reagim.

Ndërkohë që reagimi përfundon me atë se “Këshilli Prokurorial mbetet i përkushtuar për të rritur bashkëpunimin ndërinstitucional, por jo në formën dhe mënyrën të cilën e ka zgjedhur Ministria e Drejtësisë”.

Ndaj deklaratës së Albulena Haxhiut ka reaguar edhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës duke thënë se po i përmbushin përgjegjësitë kushtetuese dhe ligjore dhe se deklaratat e ministres nuk i kontribuojnë bashkëpunimit të institucioneve.

Gjithë reagimet erdhën pasi zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu në një konferencë për media të martën akuzoi ish-ministren e këtij dikasteri Dhurata Hoxha dhe Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK) për ndarjen e mjeteve financiare prej afër 1 milion euro në mënyrë të kundërligjshme për grupe të caktuara të ekspertëve mjekoligjorë./KP