EDMOND AZEMI PËRFUNDON KARRIERËN SI BASKETBOLLIST PROFESIONIST

Klubi nga kryeqyteti Sigal Prishtina në një konferencë për media ka njoftuar se ylli i saj, Edmond Azemi, i ka dhënë fund karrierës si basketbollist profesionist.

Presidenti i Sigal Prishtinës Burim Maraj, falënderoi Azemin për kontributin e dhënë, duke u zotuar që do të punojë sa më shumë që veprimtaria e tij të mos shuhet.

Maraj: Edo faleminderit për kontributin e dhënë, zotohem që do ta vazhdoj traditën e klubit.

“Do të bëj çmos që ta vazhdoj traditën e të shkruarit histori për klubin e basketbollit Prishtina, së bashku me të gjithë ekipin menaxhues të klubit zotohem për një të ardhme më të mirë për klubin dhe gjeneratat e reja. Andaj, Edo urime dhe përgëzime për karrierën tënde si lojtar, me punën dhe suksesin besoj do t’i kesh motivuar shumë gjenerata të reja që i kemi këtu sot me ne, që merren me sportin e bukur të basketbollit. Edo të faleminderit shumë për profesionalizmin, integritetin, lidershipin e treguar gjatë viteve në klub, dhe për 36 trofe qe ia solle qytetit dhe klubit tonë të dashur së bashku me ‘Plisat’”, tha presidenti i klubit Maraj.

Legjenda e Sigal Prishtinës, Edmond Azemi, përveç faktit që tregoi se sa ishte i vështirë ky vendim, tregoi edhe që do të vazhdojë të ardhmen e tij me klubin, në rolin e drejtorit gjeneral.

Azemi: Veprimtaria ime tek Prishtina nuk do të shuhet, do të vazhdoj si drejtues i klubit

“Krejt çka kam dhënë për këtë klub, nuk dua të them që do të shuhet, por dua ta vazhdoj në një mënyrë tjetër, si drejtues i klubit, bashkërisht me presidentin e klubit dhe dy nënkryetarët, që duhet falënderuar për besimin që ma kanë dhënë, dhe e respektoj domethënë këtë vendimin e tyre. Nuk ka qenë lehtë, besoni me lanë, sepse gjithmonë më pyesnin gazetarët kur ki me lënë, e unë gjithmonë e shtyjsha edhe një vjet. Domethënë besoj që ka ardhë kjo dita që kam vendos për të ardhmen time, për t’i ndihmuar klubit, t’i ndihmuar të rinjve, bashkërisht me punua në akademi të basketbollit dhe siç thashë edhe më herët, kurrë s’kam me lënë Prishtinën”, tha ai.

Legjenda tjetër e klubit të Sigal Prishtinës dhe basketbollit kosovar, Ferid Zekolli, i uroi suksese në të ardhmen Edos, në rolin e drejtori gjeneral të klubit.

Zekolli: Edo, lojtar super i mirë, i dëshiroj suksese në postin e tij të ri te Sigal Prishtina

“Edo me të vërtetë ka qenë një lojtar, jo i mirë, po super i mirë, edhe i cili ka lënë mbresa shumë pozitive, jo vetëm në lojë, të cilin e kemi parë të gjithë edhe live, edhe përmes ekraneve televizive, por edhe jashtë lojës me sjelljet e tija. Kështu që, asgjë nuk më mbetet tjetër vetëm se Edos t’i dëshiroj fat, shëndet dhe rezultate të njëjta në postin e drejtorit gjeneral të klubit më të trofeshëm në Kosovë, dhe më të trofeshëm në mbarë rruzullin shqiptar, që është Sigal Prishtina”, tha Zekolli.

Edhe nënkryetari i Sigal Prishtinës, Shkumbin Jakupi, e falënderoi Azemin për çdo gjë që ka dhënë deri tani për Prishtinë, duke e uruar për postin e ri tek klubi, dhe duke i dëshiruar suksese dhe shëndet në të ardhmen.

Të pranishëm në këtë konferencë, përveç legjendës së basketbollit, Ferid Zekolli, presidentit të klubit Burim Maraj dhe nënkryetarit të klubit Shkumbin Jakupi, ishin edhe tifo-grupi “Plisat”, të cilët pavarësisht pensionimit të Azemit, treguan përkrahje të vazhdueshme për legjendën e kryeqytetit. /A.Arifi/KP