EKSKLUZIVE: I KISHTE VËNË THIKËN NË FYT POLICIT, DARDAN KRIVAQA ISHTE DËNUAR ME 180 DITË BURGIM NGA GJYKATA NË FERIZAJ

Dardan Krivaqa, në dhjetor të vitit të kaluar i kishte vënë thikë në fyt një polici civil, i cili kishte tentuar ta lajmëroj policinë pasi e kishte dyshuar se Krivaqa ishte duke konsumuar lëndë narkotike. Lidhur me këtë rast, sipas aktgjykimit të siguruar nga Gazeta Insajderi, Krivaqa ishte dënuar me 180 ditë burgim, ku ishin llogaritur 30 ditët e kaluar në parabugim, derisa pjesa tjetër e dënimit i ishte shndërruar në punë në dobi të përgjithshme në kohëzgjatje prej 180 orë pune. Aktgjykimi nuk kishte marrë formën e prerë.

Në shkurt të këtij viti, Dardan Krivaqa, i dyshuari kryesor për vrasjen e 18 vjeçares nga Ferizaj, ishte dënuar nga Gjykata Themelore e Ferizajt, për një rast tjetër.

Ai ishte dënuar për veprën penale lëndim i lehtë trupor ndaj një polici, shkruan Gazeta Insajderi.

Sipas aktgjykimit të siguruar nga Gazeta Insajderi, ai ishte gjetur fajtor se me 25 dhjetor 2020 rreth orës 22:00 në rrugën “Vesli Klark”, në Ferizaj, me dashje dhe me një mjet të rrezikshëm i shkakton lëndim të lehtë trupor të dëmtuari Z.H.

Viktima kishte qenë polic civil, i cili sipas aktvendimit kishte dyshuar se Krivaqa ishte duke konsumuar narkotikë dhe kishte dashur t’a lajmëroj policinë, por Dardan Krivaqa menjëherë e kishte kapur për qafe “dhe i kishte vënë thikën në fyt duke i shkaktuar gërvishtje në anën e majtë të qafës, të përshkruara si në ekspertizën mjekoligjore e dt.03.01.2021”.

Sipas vendimit të gjykatës Krivaqa, me këto veprime kishte kryer veprën penale lëndim i lehtë trupor.Sipas dokumentit të siguruar nga Gazeta Insajderi, gjykata e kishte dënuar Krivaqën me dënim me burg në kohëzgjatje prej 180 (njëqind e tetëdhjetë) ditësh.

Në këtë denim atij do t`i llogaritej edhe koha e kaluar në paraburgim nga data 27.12.2020 deri me dt.22.01.2021.

“Ndërsa pjesa tjetër e mbetur më pëlqimin e të pandehurit, i shndërrohet në PUNË NË DOBI TË PËRGJITHSHME në kohëzgjatje prej 180 orë pune e cila do të ekzekutohet pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi në afat prej 1 viti dhe në rast mosbindje i njëjti do t’i shndërrohet në dënim me burg”, thuhet në aktgjykimin e siguruar nga Insajderi.

Në arsyetimin e vendimit, thuhet se Dadan Krivaqa e kishte pranuar veprën penale për të cilën ishte dënuar, por se kishte deklaruar se këtë vepër e kishte kryer në ndikim të alkoolit.

Ai madje kishte kërkuar që t`i zbutet dënimi pasi që i duhet të kujdesej për nënën e sëmuar dhe se nuk do ta përsëriste vepra të ngjajshme.

“I akuzuari D.K.në shqyrtimin fillestar ka deklaruar se e pranon fajësinë për veprën penale e cila i’u vihet në barrë, shprehu keqardhje dhe është i penduar thellë. Tutje ka deklaruar se në familje jeton vetëm me nënën e tij e cila është e sëmurë nga zemra dhe se e njëjta ka nevojë për përkujdesje e tij, se këtë vepër e ka kryer nën ndikimin e alkoolit dhe se nuk ka pasur qëllim që t’a lëndoj atë. I njëjti kërkoi nga gjykata që të i shqiptoj një dënim sa më të butë dhe i premtoi gjykatës se nuk do të përsërit vepra të tilla të ngjashme”, thuhet në arsyetimin e gjykatës.

Dardan Krivaqa, të dielën bashkë me Arbër Sejdiun e kishin dërguar pa shenja jete në emergjencën e qytetit në Ferizaj, viktimën M.O, dhe menjëherë ishin larguar me një vetur me targa të Zvicrës. Disa orë më vonë ishte arrestuar Arër Sejdiu derisa Krivaqa kishte arritur të arratisej.

Krivaqa u arrestua sot si i dyshuari kryesor për vrasjen e 18 vjeçares M.O me të cilën ishte duke bashkëjetuar.

/Insajderi.org

The post EKSKLUZIVE: I KISHTE VËNË THIKËN NË FYT POLICIT, DARDAN KRIVAQA ISHTE DËNUAR ME 180 DITË BURGIM NGA GJYKATA NË FERIZAJ appeared first on Dielli News.