FILLOJNË XHIRIMET NGA ‘TRESHI PËRSHESHI – JUNIOR’

Djemtë e legjendave të humorit në Kosovë, të ndjerit Ibrahim Krajkova e Rasim Thaçit, si dhe aktorit Sevdai Rodogoshi, Shkumbin Radogoshi, Artan Thaçi, e Bekim Krajkova, kanë nisur xhirimet e projekteve të reja, ku do t’iu sjellin “Treshi Përsheshi – Junior”.

Në dhjetor të vitit 1986 ishte formuar “Treshi Përsheshi” nga Cima, Leci e Qumili, e pikërisht në këtë kohë, dhjetor 2021, është formuar “Treshi Përsheshi – Junior”.

‘Qumili’ përmes postimeve në rrjete sociale nuk ka hezituar ta shfaq entuziazmin për këtë “riformim” në mënyrë që të rikthehen komeditë e kohërave të arta, por kësaj radhe nga juniorët.

Ky projekt që do të finalizohet së shpejti, është mirëpritur e ka marrë komentetet më pozitive në Facebook e Instagram.

Ribashkimi i juniorëve që kanë vendosur ta ndjekin rrugën e baballarëve të tyre, u solli nostalgji ndjekësve të Qumilit në Instagram, ku të shumtë ishin ata që potencuan se “Legjendat nuk harrohen kurrë”, vërtetë, Cima, Leci e Qumili me komeditë e tyre, i kanë vënë vetës një titull që nuk do vdes asnjëherë.