FLORETË ZEJNULLAHU, KANDIDATE E PDK-SË PËR KRYETAR TË PODUJEVËS

Kryetari i PDK-së Memli Krasniqi ka bërë të ditur kandidaturën e kësaj partie për zgjedhjet për kryetar të Podujevës.

Në një postim në Facebook, i pari i partisë më të madhe opozitare në vend ka shkruar se Floreta Zejnullahu do të kandidojë për të parin e Podujevës më 17 tetor.

“Me punën e saj, transparente e të pastër mbi të gjitha, Podujeva do të përjetojë ndryshime të mëdha, projekte inovative që sjellin më shumë mundësi për të rinjtë, për vende pune e hapje te biznesit, më shumë sport e kulturë, më shumë barazi. Mbështetja jonë për të do të jetë e pa rezervë”, shkruan Krasniqi.

Postimi i plotë:

Floretë Zejnullahu është personifikim i idealit të familjes së saj prej patriotëve e luftëtarëve për lirinë dhe shtetin e Kosovës.

Xhaxhai i saj, Heroi Hakif Zejnullahu, ndër të parët, bashkë me Zahir Pajazitin, u ngrit në këmbë për ta larguar shtypjen, që gjeneratat e reja, të gjithë ne, ta përjetojmë lirinë, ta jetojmë shtetin e Kosovës dhe ta ndërtojmë e zhvillojmë atë.

Floreta ka ecur kësaj rruge me krenari, duke u bërë një profesioniste në shëndetësi dhe një aktiviste politike për më shumë mundësi për të rinjtë e të rejat.

Ne jemi krenar që ajo është pjesë e PDK-së tash e sa vjet. Podujeva është krenare me të dhe për dy mandate i ka dhënë mbështetje për të qenë deputete në Kuvendin e Kosovës.

Floreta, me shumë vullnet, do të angazhohet që Podujeva të përjetojë ndryshimin e madh, që e kërkojnë llapjanët. Ajo është kandidatja jonë për kryetare të Podujevës. Ajo edhe do të jetë kryetare e Podujevës.

Me punën e saj, transparente e të pastër mbi të gjitha, Podujeva do të përjetojë ndryshime të mëdha, projekte inovative që sjellin më shumë mundësi për të rinjtë, për vende pune e hapje te biznesit, më shumë sport e kulturë, më shumë barazi. Mbështetja jonë për të do të jetë e pa rezervë./KP