GASTRONOMËT KËRKOJNË MARRJEN E VENDIMIT PËR AHENGJET FAMILJARE

Shoqata e Gastronomëve të Kosovës ka adresuar kritika ndaj Ministrisë së Shëndetësisë dhe Qeverisë së Kosovës për shkak të vonesës në marrjen e vendimit mbi lejimin e organizimit të ahengjeve familjare.

Më herët ishte thënë se 15 qershori do të jetë data kur do të merret vendimi, por deri më tash nuk ka asgjë konkrete.

“Tanimë jemi më datën 21 dhe kjo tregon për mos përgjegjësinë dhe pakujdesinë e institucioneve në raport me gjendjen e jashtëzakonshme ekonomike që po kalon vendi. Duke theksuar edhe mos përmbushjen e zotimeve të të gjitha qeverive që janë marrë me menaxhimin e pandemisë në kuptim të mbështetjes financiare, ku çdoherë ka numër të konsiderueshëm të bizneseve që nuk përfitojnë nga to, përkundër faktit që kualifikohen për të përfituar nga pakot emergjente”, shkruan Shoqata e Gastronomëve në Facebook.

Gastronomët kërkojnë sqarim dhe vendimmarrje efikase në këtë periudhë të ndjeshme për sektorin e gastronomisë, por sipas tyre, roli i institucioneve të vendit është jo konstruktiv.

“Çdo ditë është esenciale dhe çdo vonesë është kritike për ne, andaj urgjentisht ju bëjmë thirrje që të merret një vendim i tillë, i cili do t’i hapë rrugët e shterimit të diskutimeve sa i përket organizimit të festivaleve, funksionimit të klubeve të natës, pishinave, etj. Zgjohuni! Erdhi vera!””, shkruan Shoqata e Gastronomëve./KP